Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, në moshën 65-vjeçare, është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të 11 janarit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i tij për shtyp, teksa ka shpjeguar se ish-gazetari i qendrës së majtë në Itali, kishte qenë në gjendje të rënduar shëndetësore për më shumë se dy javë dhe kishte anuluar të gjitha angazhimet e tij politike.

Për shkak të komplikimeve me sistemin e tij imunitar, Sassoli ishte pranuar në një spital italian muajin e shkuar.

Roberto Cuillo, zëdhënësi i tij, tha se shuarja e presidentit kishte ndodhur gjatë gjumit, në spitalin onkologjik të Aviano-s.

Në shtator, Sassoli kishte pasur të tjera ndërlikime shëndetësore, kur u shtrua në një spital në Strasbourg për simptoma të rënda pneumonie.

Ai më pas, iu rikthye aktivitetit politik në nëntor.

Një votim për të zgjedhur pasardhësin e tij ishte planifikuar të enjten e 20 janarit, duke qenë se vetë ai e kishte shpjeguar më parë se nuk do të kërkonte rizgjedhjen. Tashmë, ky proces bëhet i detyruar për shkak të humbjes.

Mandatin e Presidentit të PE-së, ai e mori në qershor 2019, teksa ky rol, cilësohet si një ndër më të lartët në rangjet e Bashkimit Evropian.

Si shkoi drejt zgjedhjes?

Sassoli ishte përballë tre kandidatëve të tjerë, kur i hyri garës për postin e lartë brenda strukturave të BE-së.

Që në fjalën e parë, fryma përbashkuese e unionit u ndje në fjalët e tij. Presidenti i sapo zgjedhur në vitin 2019, u bëri thirrje të gjitha vendeve që të përqaseshin për nga filozofia e themeluesve të organizimit.

Kështu, ai e nisi retorikën anti-nacionaliste. Një frymë e tillë përçarëse, ishte futur në gjithë Evropën e veçanërisht në vendet anëtare të Bashkimi Evropian.

“Të lëmë pas luftën dhe nacionalizmin, në këmbim të paqes dhe barazisë”.

Ky ishte mesazhi, i cili e shoqëroi atë në gjithë rrugëtimin tre-vjeçar kur mbajti postin.

Sakaq, një dekadë më parë, në vitin 2009, ai la pas karrierën tre-dekadente në gazetari, për t’u zgjedhur si anëtar i Parlamentit Evropian nën përfaqësinë italiane.

Ai bëri pjesë në Aleancën e Socialistëve dhe Demokratë – e dyta më e madhe brenda PE-së.

Ngushëllimet e para kanë ardhur edhe nga radhët e kolegëve të tij.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi mbi shuarjen e Sassoli-t.

“Jam shumë e trishtuar për humbjen e tmerrshme të një evropiani dhe italiani krenar. David Sassoli ishte një gazetar me pasion, President i pashoq i PE-së dhe mbi të gjitha, një mik i mirë”.