Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi se Raporti i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve, (IBAR), paraqitur BE-së, është pozitiv lidhur me negociatat.

Në Komisionin e Jashtëm, Hoxha u shpreh se në një periudhë të shkurtër, Shqipëria hapi 33 kapituj, pra të gjithë kapitujt e negociatave.

Hoxha shtoi se puna dhe ndërveprimi me BE-në vetëm ka ardhur duke u rritur, shtuar dhe zgjeruar.

Ndër të tjera, kryediplomati shqiptar theksoi se rekomandimet e Komisionit për Këshillin kanë qenë pozitive, duke njohur progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave, si dhe duke rekomanduar vijimin e procesit drejt miratimit të tyre.

Fjala e ministrit Hoxha në Komisionin e Jashtëm

Do të përqendrohem në aspektet që keni përcaktuar: ecurinë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në vlerësimin e Komisionit Evropian në kuadër të Raportit IBAR, shumë më pak mbi diskutimet dhe dinamikat në COELA duke pasur parasysh se Shqipëria nuk është e pranishme në këto diskutime sepse zhvillohen mes Komisionit dhe Këshillit, si dhe në përpjekjet tona dhe hapat e mëtejshëm në këtë proces kyç për vendin.

Siç e dimë të gjithë, procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një proces kompleks, në fakt, më kompleksi në të cilin kemi marrë pjesë ndonjëherë, por njëkohësisht edhe proces i mirëstrukturuar dhe shumëdimensional.

Në themel të procesit të anëtarësimit në BE, qendron merita. Kjo është kolona vertebrore e procesit. Në këtë kuptim, procesi mbështetet në analizën e arritjeve, në rezultate të qëndrueshme dhe të verifikueshme, ose, siç e përmendim shpesh, në zbatimin konkret të reformave.

Më lejoni të paraqes një panoramë të shkurtër të ecurisë së deritanishme, pasi ky është edhe thelbi i interesit tuaj në këtë dëgjesë.

Më 13 tetor 2024, Shqipëria kishte hapur zero kapituj negocimi. Deri atë ditë, kishte përfunduar procesin e shqyrtmit analitik dhe kishte organizuar Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Vetëm 13 muaj më vonë, më 17 nëntor 2025, Shqipëria kishte hapur plot 33 kapituj, pra të gjithë kapitujt e negociatave.

Pati shumë skepticizëm edhe atëhërë kur deklaronim se plani ynë ishtë të hapeshin të gjithë kapitujt brenda vitit 2025. Disa e quajtën shakanë e rradhës, të tjerë, krejt të pamundur.

E pur, accidit (e megjithatë, ndodhi).

Kjo ecuri e paprecedent është dëshmi e puqjes së dy faktorëve kreysorë që e bënë të mundur: e para, është tregues i aftësisë, përgatitjes, energjisë dhe vendosmërisë së qeverisë shqiptare dhe ekipit negociator; dhe nga ana tjetër e besimit dhe mbështetjes së procesit të avancimit të Shqipërisë nga institucionet evropiane dhe vendet anëtare.

Për herë të parë pas dekadash të mbushura me shpresë, pritje, përpjekje por edhe frustrim, procesi i anëtarësmit në BE është konkret, i prekshëm, rezultativ dhe i mirëvendosur në një kalendar konkret.

Sic jeni në dijeni, më 14 tetor 2024 u hap grupi i parë i kapitujve, i njohur si “themelorët”.

Në dokumentin e përbashkët të miratuar në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare, Bashkimi Evropian përcaktoi 24 piketa të ndërmjetme që Shqipëria duhej të përmbushte sa më shpejt.

Me metodologjinë e re, e cila filloi të zbatohej me Shqipërinë, miratimi i piketave të ndërmjetme është thelbësor sepse përcaktonte ecurinë e mëtejshmë të të gjithë procesit.

Natyrshëm që në këtë optikë, përpjekje dhe energjitë e Shqipërisë do t’i dedikoheshin në rradhë të parë këtij procesi, por pa neglizhuar kurrsesi aspektet e tjerë, sepse ndërkohë punohej e avancohej paralelisht me hapjen e grupeve të tjerë të kapitujve.

Ajo që kemi konstatuar e që duhet theksuar është se që nga data 14 tetor 2024, puna dhe ndërveprimi me BE-në vetëm ka ardhur duke u rritur, shtuar dhe zgjeruar.

Por Shqipëria ishte e gatshme.

Gjatë periudhës dhjetor 2024 – mars 2025, përmes diskutimeve dhe shkëmbimeve të përbashkëta, Shqipëria dhe Komisioni Evropian i detajuan këto 24 piketa duke i kapilarizuar në 92 masa konkrete, ose hendeqe të cilat duhej të plotësoheshin dhe raportoheshin prej nesh, dhe të verifikoheshin prej Komisonit evropian.

Në vijim, në periudhën prill 2025 – shkurt 2026, Shqipëria ka punuar intensivisht për përmbushjen e këtyre angazhimeve, duke raportuar në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale progresin e arritur. Janë hartuar dhe dorëzuar një numër i konsiderueshëm dokumentesh mbështetëse, përfshirë akte ligjore, dokumente strategjike dhe prova të zbatimit praktik. Paralelisht, është shënuar progres i matshëm në fusha kyçe duke dëshmuar kalimin nga një fazë angazhimesh formale drejt një faze të rezultateve konkrete dhe të verifikueshme.

Mbi këtë bazë, pasi ka konstatuar se Shqipëria u është përgjigjur angazhimeve, Komisioni Evropian, i cili negocion me palën shqiptare në emër të Bashkimit Evropia, ka hartuar raportin mbi piketat, i njohur si Interim Benchmark Assessment Report (IBAR), dhe ia ka paraqitur Këshillit, përkatësisht grupit të punës për zgjerimin (COELA), i përbërë nga përfaqësues të shteteve anëtare që analizojnë ecurinë e procesit të zgjerimit.

Gjatë muajve mars dhe prill 2026, COELA ka marrë në shqyrtim raportin, e ka analizuar atë në detaj, ka ndërvepruar në mënyrë aktive me Komisionin Evropian. Paralelisht, po në COELA është zhvilluar edhe ushtrimi i zakonshëm për hartimin e pozicionit të përbashkët të Bashkimit Evropian mbi piketat mbyllëse.

Siç e theksova më herët, Shqipëria nuk është pjesë e këtij diskutimi, pasi raporti është dokument i Komisionit dhe ndërveprimi zhvillohet ndërmjet dy institucioneve të BE-së: Komisionit dhe Këshillit.

Megjithatë, ajo që dimë me siguri është se rekomandimet e Komisionit për Këshillin kanë qenë pozitive, duke njohur progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave, si dhe duke rekomanduar vijimin e procesit drejt miratimit të tyre.

Ky është momenti ku ndodhemi aktualisht.

Është e rëndësishme të theksohet se ky proces, veçanërisht duke qenë se zbatohet për herë të parë në kuadër të metodologjisë së re, nuk është as i paracaktuar dhe as i kufizuar në kohë. Diskutimet në nivel të Bashkimit Evropian janë pjesë integrale e mekanizmave të kontrollit, verifikimit dhe garantimit të cilësisë së reformave. Eshtë e arsyeshme të avancohet se përmes këtij ushtrimi të parë me Shqipërinë, BE po vendos një standard të vetin për më tej.

Po ashtu, duhet kuptuar se nuk kemi të bëjmë me një aktor të vetëm, por me 27 shtete anëtare, secili me këndvështrimet, ndjeshmëritë dhe interesat e veta.

Zoti Kryetar,

Në debatin publik është pretenduar mëse një herë se procesi është bllokuar, se vende të caktuara kanë vënë veto (pretendohej për 9 të tilla) apo se Shqipëria nuk po avancon më.

Duke mirëkuptuar interesin e vecantë për këtë proces dhe respektuar debatin publik pavarësisht qasjes, dëshiroj ta them qartë dhe me përgjegjësi: këto pretendime nuk qëndrojnë.

Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt. Progresi i dukshëm i vendit në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas.

Ajo që duhet të mbajmë parasysh është se Rritmi i procesit përcaktohet nga Presidenca dhe shtetet anëtare të BE. Ato do marrin kohën sa ta shohin të arsyeshme.

Në këtë kuadër, thelbësore mbeten puna dhe rezultatet nga ana jonë. Ne duhet të vijojmë me durim dhe vendosmëri, duke dëshmuar progres të qëndrueshëm dhe të verifikueshëm, duke thelluar reformat, forcuar shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve, si dhe duke përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit.

Objektivi ynë është i qartë: të bëjmë pjesën tonë me seriozitet dhe të ecim përpara në përputhje me ambicjen tonë dhe planin e përbashkët me Komisionin Evropian, duke iu afruar çdo ditë e më shumë realizimit të synimit tonë strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian në horizontin 2030.

Në plan më të gjerë diplomatik, ky proces është mbështetur nga një angazhim i gjerë dhe i koordinuar, përmes kontakteve të nivelit të lartë kudo ku ka qenë ë mundur, përfshirë në forume ndërkombëtare.

Takimet me përfaqësues të lartë të BE-së, shkëmbimet dypalëshe dhe aktivitetet ndërkombëtare kanë kontribuar në rritjen e mbështetjes politike. Vizita pak ditë më parë në Tiranë e ministrave të jashtëm të Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, si pjesë e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, është një dëshmi e qartë e mbështetjes dhe e këtij momenti pozitiv.

Njëkohësisht, bashkëpunimi me presidencat e BE-së ka qenë thelbësor për të garantuar vijimësinë e procesit, ndërsa komunikimi me publikun, brenda dhe jashtë vendit, ka synuar ta kthejë integrimin në një projekt gjithëpërfshirës kombëtar dhe të forcojë imazhin e Shqipërisë si një vend që kontribuon në sigurinë dhe vlerat evropiane.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se procesi i anëtarësimit në BE vijon normalisht, në përputhje me planet e bashkëpërcaktuara dhe kjo duhet të na gëzojë të gjithëve duke ditur që të gjithë anëtarët e këtij komisioni, pa përjashtim, e mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *