Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë javën e ardhshme “një lajm të mirë”.

 “Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, shpresoj edhe me Maqedoninë e Veriut, javën e ardhshme (19-20 Korrik) është një lajm i mirë”, shkruan Balla, i cili po merr pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar Symi në Athinë.

Por, ai thekson se nuk duhet harruar se fillimi i bisedimeve për anëtarësim edhe me dy vende të tjera të rajonit nuk është e mjaftueshme në kushtet e reja gjeo-politike pas agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar rus kundër Ukrainës.

Balla në deklaratën e tij shpreh habinë se pse edhe Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kjo pasi, për të, mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është “një turp tjetër për kredibilitetin e unionit”.

Ndër të tjera deputeti socialist shprehet se Procesi i Berlinit prej tetë vitesh është instrumenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ballkani i Hapur është instrumenti i domosdoshëm për implementimin në terren të katër lirive themelore të BE-së.

“Të mos harrojmë se jemi një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj aktorëve jomiqësorë”.

Simpoziumi që po zhvillohet në Athinë ka si temë  “Implikimet e luftës në Ukrainë – Një strategji për të shtyrë përpara anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Procedurat

Çdo vend vlerësohet në bazë të meritave të veta, bazuar në pajtueshmërinë me kriteret e anëtarësimit.

Negociatat ndihmojnë vendet kandidate të përgatiten për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në BE dhe të vlerësojnë sesa të gatshme janë.

Ato gjithashtu i lejojnë BE-së të përgatitet për zgjerim në drejtim të kapacitetit absorbues.

Acquis ose përvetësimi është i ndarë në kapituj dhe ka po aq kapituj sa fusha në të cilat duhet të bëhet përparim.

Këto fusha janë identifikuar nga shqyrtimi i përvetësimit.

Çdo kapitull negociohet individualisht dhe kriteret e matshme të referencës janë përcaktuar për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull.

Negociatat zhvillohen në Konferencat Ndërqeveritare dypalëshe ndërmjet shteteve anëtare dhe vendit kandidat.

Pozicionet e përbashkëta negociuese përcaktohen për secilin nga kapitujt që kanë të bëjnë me çështjet e kompetencës së BE-së.

Rezultatet e negociatave (me rezultatin e dialogut politik dhe ekonomik) përfshihen në një projekt-traktat pranimi, pasi të mbyllen negociatat për të gjithë kapitujt.

Pajtueshmëria monitorohet nga Komisioni Evropian dhe, sipas rastit, sistemi i masave kalimtare lejon që negociatat të përfundojnë edhe nëse transpozimi i acquis ose përvetësimit nuk është përfunduar