Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte paralajmëruar se Izraeli do të humbasë “të gjithë mbështetjen e SHBA-së” nëse anekson Bregun Perëndimor.
Në një intervistë për revistën TIME, lideri amerikan ka pohuar se “kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”.
Ky paralajmërim erdhi pas miratimit të një projektligji në parlamentin izraelit për avancimin e aneksimit të Bregut Perëndimor. Në një reagim ndaj këtyre zhvillimeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u pyet nëse SHBA-ja po dikton politikën izraelite.
Ai u përgjigj se “gjithmonë do ta thonë këtë, nuk ka rëndësi. Ne jemi një vend i pavarur”. Ky qëndrim i Netanyahut thekson angazhimin e Izraelit për të ruajtur sovranitetin në vendimmarrje, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.
Kujtojmë se projektligji u miratua me një votim 25-24. Nuk është e qartë nëse ka mbështetje për të fituar shumicën në Knessetin (parlamenti) me 120 vende, dhe ka mënyra se si kryeministri mund ta vonojë ose ta mposhtë atë.
Komente