Në stomakun e Lear Kurti, 32-vjeçarit që vdiq pasi u shoqërua, është gjetur qese kokainë me gjurmë kokaine. Lajmin e ka konfirmuar përveç ekspertizës edhe Prokuroria e Tiranës, e cila ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
“Është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria thotë se hetimet do të zhvillohen për ‘veprime arbitrare’ nga ana e policisë dhe ‘mosdhënie ndihme’ nga stafi mjekësor i Spitalit të Traumës. Hetimi ka nisur mbi bazën e referimit nga ana e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë (AMP).
Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e Lear Kurtit, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.
“Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, ka njoftuar prokuroria.
Kujtojmë se paraprakisht spitali i Traumës tha se Kurti mbërriti i vdekur, por një foto ku duket 32-vjeçari duke marrë serum apo mbase me trupin e pajetë bëhet ndonjë veprim tjetër u publikua më vonë. Ende janë të paqarta rrethanat e vdekjes së Lear Kurtit. Natën kur Lear Kurti u dërgua në spital nga efektivët, ‘Trauma’ deklaroi se 32-vjeçari kishte ardhur pa shenja jete. Nga ana tjetër, policia deklaroi që Lear Kurti ndërroi jetë në spital. Hetimet po vijojnë dhe pritet të zbardhet dinamika e ngjarjes, ndërkohë që sipas ekspertizës, Kurti ndërroi jetë pasi gëlltiti qesen me kokainë dhe kaloi në overdozë.
Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i ka bërë thirrje 32 vjecarit Lear Kurti, për të ndaluar, por ky i fundit nuk është bindur dhe është larguar me vrap. Efektivët kanë arritur që ta kapin, dhe më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por në ato moment 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe ka ndërruar jetë në komisariat.
Sipas ekspertizes, Lear Kurti, ndërroi jetë nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivet që e shoqëruan të riun në komisariat.