SHQIPËRI– Besimtarët myslimanë kremtuan sot festën e Kurban Bajrami. Në Tiranë, falja e namazit u zhvillua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra besimtarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për të marrë pjesë në ceremoninë fetare.

Atmosfera festive e kësaj dite të shenjtë u shtri edhe në qytete të tjera të vendit, ku besimtarët myslimanë u bashkuan në xhami, sheshe dhe ambiente të hapura për të falur namazin dhe për të përcjellë mesazhe paqeje, harmonie dhe solidariteti.

Në ligjëratat e mbajtura pas faljes së namazit, përfaqësuesit e komunitetit mysliman theksuan rëndësinë e besimit, familjes dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, duke uruar më shumë mirësi dhe begati për të gjithë shqiptarët.

ABC News sjell të përmbledhur atmosferën se si u kremtua kjo ditë e shenjtë për besimtarët myslimanë.

FIER

Namazi i Kurban Bajramit në Fier falet në sheshin qendror. Myftiu Azizolli: Besim në kohë të vështira, kemi nevojë për besim të sinqertë që nuk ndryshon sipas interesave.

Falja e namazit të Kurban Bajramit në Fier u krye në sheshin qendror. Qindra besimtarë ndoqën ligjëratat e rastit nga myftiu i Fierit, Mikel Azizolli, dhe imami i xhamisë së Libofshës, Albert Kanani, pas faljes së namazit.

Duke përkujtuar profetin Ibrahim dhe duke bërë analogji me ditët e sotme, myftiu Azizolli tha se edhe sot, ashtu si në kohën e Ibrahimit, besimi në Zot përballet me sfida dhe vështirësi. Sipas Azizollit, sot kemi nevojë pikërisht për atë devocion që kishte profeti Ibrahim ndaj Krijuesit, besim të sinqertë që nuk ndryshon sipas interesit.

Kurse imami i xhamisë së Libofshës, Albert Kanani, iu referua shpalljes së vargjeve të para të Kuranit të Shenjtë dhe atyre të fundit, që përkojnë me festën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit. Dija dhe shkenca është mënyra se si Zoti i tregon rrugën e progresit dhe begatisë një populli, duke iu referuar vargut të parë që iu shpall profetit Muhamed: “Lexo, me emrin e Zotit tënd”.

Festa e Kurban Bajramit paraprihet nga Dita e Arafatit, në të cilën besimtarët që nuk shkuan në Haxh agjërojnë dhe shtojnë adhurimet ndaj Zotit. Më pas bëhet therja e kurbanëve, të cilët ofrohen për të varfrit, krahas pakove me ushqime.

KUKËS

Ashtu si në mbarë botën, edhe në Kukës besimtarët myslimanë falën namazin e Kurban Bajrami.

Në dy xhamitë e qytetit, pjesëmarrja e besimtarëve ishte e lartë, jo vetëm në ambientet e brendshme, por edhe në ato të jashtme.

Pas faljes së namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin për më shumë harmoni, paqe dhe mirësi.

Urimeve iu bashkua edhe Myftiu i Kukësit, Emirjon Vathaj, i cili përcolli mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkimi mes njerëzve në këtë ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë.

VLORË

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajrami. Falja e namazit është kryer në ambientet e Pallatit të Sportit “Flamurtari” në Vlorë, ku janë mbledhur qindra besimtarë.

Të pranishëm kanë qenë besimtarë nga Vlora, por nuk kanë munguar edhe besimtarë me kombësi të huaj. Falja e namazit të Kurban Bajrami është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallaku.

Në fjalën e tij, Myftiu ka uruar besimtarët për këtë festë, ndërsa ka theksuar se familja mbetet gjëja më e rëndësishme. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë dhe vlerat që përcjell kjo ditë e shenjtë për besimtarët myslimanë.

FUSHË-KRUJË

Me qindra besimtarë myslimanë në Fushë-Krujë, që në orët e para të mëngjesit, kanë mbushur stadiumin e qytetit për të falur namazin e Kurban Bajrami.

Hoxha i Fushë-Krujës, Muharrem Vrana, në ligjëratën e tij falënderoi besimtarët për pjesëmarrjen e madhe, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë praninë e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët sipas tij po tregojnë besim tek Zoti dhe përkushtim ndaj veprave të mira.

Ai uroi më shumë begati, harmoni, paqe dhe mirësi për çdo besimtar mysliman.

Faljes së Kurban Bajrami iu bashkuan edhe besimtarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët aktualisht jetojnë dhe punojnë në zonën e Krujës.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *