![](https://veritas.com.al/wp-content/uploads/2025/02/5845170f6ffb35e25c337e28a809368d-1.jpg)
Qeveria italiane nuk heq dorë nga marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë pavarësisht se vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pritet të jepet në 25 shkurt. Qeveria e Melonit po shqyrton ndryshimin e marrëveshjes me Shqipërinë, duke përfshirë edhe një dekret, nëse është e nevojshme.
Kjo do të përbënte një zgjidhje ekstreme, duke hequr juridiksionin italian mbi këto struktura në Gjadër e Shëngjin, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar me Tiranën.
Synimi është përjashtimi i kompetencës së magjistratëve italianë në menaxhimin e emigrantëve që do të riatdhesohen, pasi gjykatësit kthyen drejt Italisë tre herë emigrantët që mbërritën në Gjadër.
Hipoteza të ndryshme po shqyrtohen për të rifilluar transferimin e emigrantëve, jo vetëm ata të shpëtuar në det dhe që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta, por edhe ata që ndodhen në pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes në Itali.
Ideja është transformimi i qendravë në Shqipëri, të cilat aktualisht përbëhen nga një qendër pritjeje dhe një qendër paraburgimi, në CPR (Qendra Paraburgimi të Riatdhesimit) ku do të çoheshin emigrantët e parregullt që kanë marrë një urdhër dëbimi. Sipas Repubblica, ideja pas saj është se me CPR-të, vërtetimi nga gjyqtarët nuk do të ishte më i nevojshëm për paraburgimin.
Opsione të tjera në tavolinë janë shndërrimi në qendra pritëse ose menaxhimi i drejtpërdrejtë nga Shqipëria dhe jo nga Roma.
Sipas raportimeve, kryeministrja Giorgia Meloni e ka diskutuar tashmë me ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi dhe nënsekretarin Alfredo Mantovano, por ende nuk është marrë një vendim dhe nisma nuk duket se do të diskutohet së shpejti në një mbledhje të Këshillit të Ministrave.
“Do të vlerësojmë nëse do të ndërhyjmë përpara vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, e cila do të mblidhet më 25 shkurt, tha Tommaso Foti, një figurë drejtuese e partisë Vëllezërit e Italisë./
Komente