Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës që Partia Demokratike zhvilloi mbrëmjen e djeshme përballë Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Përmes një postimi në rrjeton social ‘X’, Rama është shprehur se PD është e vetmja parti në Europë që ka në programin e aktivitetit të saj ushtrimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës.

Po ashtu Rama në postim shkruan se ata që kryejnë akte dhunë në protestat e PD-së janë mercenarë të rekrutuar me lekë, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mos u identifikuar nga kamerat, shkruan A2 CNN.

Teksa ju uroi shërim të shpejtë punonjësve të lënduar të Policisë, Rama vijoi më tej duke shkruar se protestat e organizuara nga kryedemokrati Sali Berisha janë një degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm.

Reagimi i Ramës:

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për  të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *