Mëngjesin e sotëm, në orën 08:30, në godinën e Kryeministrisë u ngrit flamuri i Bashkimit Europian.

I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama deklaroi se “ngritja e këtij flamuri shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel”.

“Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me standardet europiane”, theksoi Rama.

Kryeministri pati edhe disa fjalë për opozitën: “Kërkohet dhe një nivel i ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh, mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë; dhe një pjese tjetër që ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë. Kështu që, hë për hë, do të bëjmë siç kemi bërë gjithmonë”.