Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se mandatin për qeverisje me vendin do t’ia besojë liderit të Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandër Vuçiq.

Përveç kësaj, ai ka shtuar se nëse do të vijë deri te ndryshimi i Kushtetutës, e di se nuk do të ndryshojë preambula në të cilën shkruan se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë.

“Askund nuk e kam parë se ekzistojnë shenja serioze rreth asaj se çka duhet ndryshuar në Kushtetutë, ose se cili kapitull. E di saktësisht se çka nuk do të ndryshojmë, e ajo është preambula në të cilën shkruan se Kosova dhe Metohija është pjesë përbërëse e Serbisë. Është një proces në të cilin askush nuk do të dëshironte të merrte pjesë”, ka thënë Nikolliq për mediat në Serbi.

Presidenti serb ka thënë se është i vetëdijshëm se sa i vështirë është procesi i ndryshimit të Kushtetutës, sidomos ato pjesë për të cilat kërkohet referendum.