Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka bërë të ditur se Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përfituar 185.6 milionë euro.
Gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, që po mbahet në Tiranë, Kos vlerësoi ecurinë e reformave në vendet e rajonit, duke theksuar se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë shënuar përparimin më të madh.
Sipas saj, Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave, ndërsa Shqipëria 80%. Komisionerja theksoi se Plani i Rritjes është ndërtuar mbi parimin e rezultateve konkrete, ku përmbushja e reformave shoqërohet me mbështetje financiare për vendet përfituese.
Duke folur për vendet e tjera të rajonit, Kos u shpreh se Kosova ka një mundësi të re për të rifokusuar përpjekjet drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Bosnjë-Hercegovina duhet ende të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme.
“Faleminderit i dashur Kryeministër, i dashur Edi, dhe faleminderit që na keni mikpritur sërish në Tiranë që të flasim për një instrument shumë të rëndësishëm për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu i rëndësishëm edhe për ne. Dhe të dashur miq, kolegë, është vërtet kënaqësi që jam këtu së bashku me ju, sepse të gjithë së bashku për pak do të hyjmë në vitin e fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ky plan, Plani i Rritjes, u përpilua në fakt për të mbështetur reforma të rëndësishme nga të cilat përfitojnë qytetarët dhe ekonomitë tuaja, dhe sigurisht që t’ju ndihmonte që të përgatiteni për anëtarësimin në BE. Deri më tani rezultatet tuaja janë të ndryshme. Tre shtete kanë bërë një përparim të mirë për reformat. Tre shtete të tjera nuk kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë që janë ofruar. Kështu që këto rezultate të ndryshme janë pasqyruar fare qartë edhe në njoftimet dhe vlerësimet që ka bërë edhe Presidentja von der Leyen dje në Samitin e Ballkanit Perëndimor.
Për shembull, Mali i Zi ka vënë në zbatim 94% të reformave, që është vërtet mbresëlënëse, që do të thotë që ju do të merrni 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe ju do të merrni 185.6 milionë euro në pagesën e katërt. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% të reformave të duhura dhe do të marrë 70.9 milionë euro.
Ky plan i rritjes kishte për synim rezultatet dhe arritjen e tyre, dhe më pas, kur të arriheshin këto rezultate, të ofroheshin fonde të tjera. Pra, fondet janë që të shpërndahen pikërisht për ato vende që do të performojnë më mirë. Që do të thotë Mali i Zi dhe Shqipëria secili do të marrë 15% më shumë nga Plani i Rritjes. Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë. Përgëzime, sepse ju e keni merituar këtë me anën e përpjekjeve për reforma që keni bërë.
Për Serbinë, është kënaqësi që ju kemi këtu… Pra, axhenda e reformave u hartua së bashku me qeverinë e mëparshme, që nuk ofroi rezultate për reformat për të cilat ne u dakordësuam.
Komisioni nuk i ka bërë asnjë pagesë Beogradit që nga janari dhe tashmë ekziston mundësia për një fillim të ri. Ne kemi ofruar këshilla, siç kemi folur edhe dje me përfaqësuesit e Listës Studentore në Serbi, se si mund të strukturohen reformat që të merren sa më shumë fonde nga Plani i Rritjes që të jetë e mundur.
Në Kosovë, i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Dhe kjo është një mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Dhe me shumë kënaqësi do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit për të folur pra se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe ta zgjerojmë atë tashmë që ju i keni të gjitha institucionet, dhe mezi po e pres këtë gjë.
Bosnja dhe Hercegovina ka ende nevojë që të ratifikojë marrëveshjet e duhura që të marrë fondet përkatëse nga Plani i Rritjes. Kjo do të jetë përparësi pasi të gjitha institucionet të jenë formuar, pra pas zgjedhjeve të tetorit, dhe do të thotë që kështu Bosnja do të marrë të gjitha fondet e duhura, të cilat fatkeqësisht nuk i ka marrë deri tani. Dhe që nga hera e fundit që jemi takuar, Komisioni Evropian ka prezantuar edhe një qasje të re për integrimin gradual dhe do të flasim për këtë më pas. Pra, do të ketë më shumë Evropë edhe përpara anëtarësimit. Por ky integrim gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit”, tha Marta Kos.
Komente