Deputetët e Rithemelimit, të përjashtuar nga seanca plenare pas kaosit të krijuar në seancat e kaluar plenare, kanë kërkuar sërish që të futen në ambientet e parlamentit. Për të qenë edhe më protagonistë, ato kanë gjetur mënyra të tjera komunikimi, duke u futur live në rrjetet e tyre sociale për të treguar përplasjen me punonjësit e gardës.

Për shkak të të kaosit të krijuar në seancën e kaluar, u përjashtuan nga Kuvendi për 10 ditë 6 deputetë të PD-së, Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Lindita Metaliaj dhe Greta Bardeli. Ndërkohë përveç, tyre vijojnë ende të jenë përjashtuar Sali Berisha dhe Flamur Noka.

Nga ana tjetër deputetët e përjashtuar, nga seanca e javës së kaluar kanë ankimuar vendimin për përjashtmin nga sekretariati i etikës. Pritet te mblidhet Byroja e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e tyre, ndërsa kanë tentuar që të futen në seancën parlamentare.

Ndonëse kryeministri Edi Rama ndodhet në Japoni për vizitë zyrtare, deputetët e Sali Berishës nuk presin dhe këmbëngulin që mocioni me debat që është parashikuar për datën 2 mars për çështjen e ish zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal të zhvillohet në seancën e sotme plenare.

Një ditë më parë, 11 deputetë kërkuan që në rendin e ditës të futej mocioni me debat për çështjen e McGonigal dhe secili prej deputetëve të ketë në dispozicion 10 minuta kohë për të folur.  Ndërkohë, Sali Berisha dhe 7 deputetë të tjerë janë të përjashtuar nga Kuvendi për shkak të kaosit që kanë shkaktuar në seancat e shkuara plenare.