Nga sot, duke nisur me dy prej zonave më të bukura turistike në vend, Ksamilin në ekstremin jugor si dhe Velipojën në veri, fillon operacioni i shembjes e ndërtimeve pa leje në bregdet. Operacioni, i paralajmëruar si prioritar nga autoritetet qeveritare do të ‘rrëzojë sot’ në zonën e Velipojës 15 objekte të ndërtuara pa leje në bregdet, ndërsa në Ksamil janë parashikuar rreth 30.

Pesë ditë më parë ishte kryeministri Edi Rama ai që u la afat pronarëve që kanë ndërtuar pa leje, deri sot, që t’i shembin vetë, pasi në të kundërtën, pasojat do të jetë më të rënda. Paralajmërimi shkoi për të gjithë, që nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe shefat e policisë.

IshteInspektoriati Kombetar i Mbrojtjes se Territorit i cili përmes një njoftimi dje bëri me dije detajet e operacionit për ditën e sotme. Objektet që do të shemben në Ksamil dhe Velipojë variojnë nga 1 deri në 5 kate, me struktura beton-arme dhe të lehtësuara.

Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, është vendosur si prioritet absolut nga Qeveria, madje duke e konsideruar si të njëjtë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit për Policinë e Shtetit. Ky ishte mesazhi dhe angazhimi madhor i Qeverisë shqiptare që eshte shpalosur qe prej 14 majit nga Qeveria shqiptare në një aktivitet të posaçëm.

Operacioni “Bregdeti Ynë” synon pastrimin e bregdetit e territorit dhe çuarjen para ligjit të gjithë shkelësit. Ndërkohë dosjet për çdo subjekt shkelës, sipas ministrit të Brendshëm Çuçi, janë përmbyllur tashmë, ndërsa pas zonës së bregdetit, operacioni do të vijojë edhe në anët e rrugëve nacionale, për t’i pastruar nga ndërhyrjet e paligjshme. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Territorit  kanë konstatuar të gjitha ndërhyrjet e reja dhe janë në përfundim të fazës së njoftimit të këtyre subjekteve.

Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje ka nisur mëngjesin e sotëm edhe në Velipojë.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur ndërtimin e parë në në zonën e Vilunit, pranë hidrovorit në Velipojë. Janë 15 objekte që janë parashikuar që të prishen sot në këtë zonë.

Deri tani nuk ka pasur asnjë kundërshti nga pronarët.

VERITAS.COM.AL