Prokurori amerikan David Schwendiman është emëruar kryeprokuror i Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë, e cila pritet të gjykojë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
David Schwendiman, i cili deri më tani ka shërbyer si kryeprokuror i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së, (SITF), e cila hetoi krimet e dyshuara se janë kryer nga luftëtarët e UÇK-së, u emërua ditën e hënë si kryeprokuror i Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës (SPO).
Emërimi i tij shënon kalimin zyrtar të SITF në SPO dhe Schwendiman tha se ky ishte një tjetër hap drejt ngritjes dhe funksionimit të institucionit të ri.
“Prokurori Special dhe SPO do të vazhdojnë të kryejnë hetimin e nisur nga SITF dhe ne do të vazhdojmë përgatitjet tona për fazën e ardhshme të punës tonë,” tha ai në një deklaratë.
“Mezi pres të takoj njerëzve në rajon dhe të takohem me mediat, kur të jetë e përshtatshme, në javët dhe muajt e ardhshëm,” shtoi ai.
Ky nuk është emërimi i parë në Ballkan për Schwendiman, i cili ka punuar si prokuror ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe ka kryesuar departamentin special për krimet e luftës në prokurorinë boshnjake gjatë dy viteve të fundit që ai ishte në vend.
Gjykata speciale do të ngrihet në Holandë dhe disa figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat serbe.
Ajo do të dëgjojë çështje të ngritura nga raporti i fundit i SITF, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së do të përballeshin me aktakuza për “një fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.
Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Dhomat Speciale dhe Zyra e Prokurorit Special, siç do të quhet gjykata e re e krimeve të luftës në Kosovë, janë një hap më pranë krijimit të plotë pasi Këshilli Europian miratoi këtë qershor buxhetin një vjeçar për të.
Këshilli i BE-së vendosi mënjanë 29.1 milionë euro për të mbështetur Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorit Special, të cilat do të zgjasin deri më 14 qershor 2017.
Megjithatë, që gjykata të jetë plotësisht funksionale, ajo ka ende nevojë për miratimin përfundimtar nga parlamenti në Holandë, ku do të jetë edhe baza e saj.
Qeveritë e Kosovës dhe ajo e Holandës nënshkruan një marrëveshje në janar për ngritjen në Hagë të Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special.
Megjithatë, para se ajo të fillojë punë, deputetët holandezë duhet të ratifikojnë vendimin dhe nuk është ende e qartë se kur kjo çështje do të jetë në axhendën e parlamentit holandez.
BE pret që ajo të miratohet deri në fund të vitit 2016. Parlamenti holandez duhet ende të sqarojë kohën.
Gjykata do të gjykojë ish-luftëtarë të pavarësisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për krime lufte që dyshohet se janë kryer nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Burime të afërta me gjykatën thanë për BIRN se paditë e para mund të priten në fund të vitit 2016 ose në fillim të vitit 2017.
Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.
Baza e saj do të jetë në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë.
( Sipas BIRN )