Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por paralajmërojnë se zgjatja e krizës politike në vend po pengon avancimin e objektivave të përbashkëta mes Prishtinës dhe Uashingtonit.
Mesazhi pritet të jetë pjesë e dëshmisë së zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Lawton, para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në deklaratën e përgatitur për seancën, Lawton thekson se zgjedhjet e përsëritura, periudha e gjatë me qeveri në detyrë dhe vonesat në krijimin e institucioneve kanë penguar zbatimin e prioriteteve të përbashkëta amerikano-kosovare.
Sipas tij, Uashingtoni u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të përmbyllin procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.
Por shqetësimet amerikane nuk lidhen vetëm me krizën politike. Lawton pritet të ngrejë edhe çështjen e trajtimit të komunitetit serb në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për atë që SHBA-ja e konsideron si përdorim të tepruar të mekanizmave ligjorë dhe policorë.
“Për të ruajtur stabilitetin, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta dhe mbrojtje të barabartë përpara ligjit”, thuhet në deklaratë.
Një tjetër pikë e rëndësishme është dialogu Kosovë-Serbi. Sipas Lawton, normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ai vlerëson se është bërë përparim që prej Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, por dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian aktualisht ka ngecur, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit të mjaftueshëm politik nga të dyja palët.
SHBA-ja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të shmangin provokimet, të përmbushin angazhimet e marra dhe të rikthehen në bisedime të drejtpërdrejta pa parakushte.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni synon të forcojë marrëdhëniet me Serbinë dhe ta shohë SHBA-në si një partner të rëndësishëm për Beogradin. Lawton përmend nisjen e Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, me fokus në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi.
Sipas tij, Serbia mbetet një vend me rëndësi për ekuilibrin rajonal dhe angazhimi amerikan me Beogradin do të vazhdojë për mbrojtjen e interesave të SHBA-së në Ballkan.
Sa i përket rajonit në tërësi, Lawton e përmbledh politikën amerikane në tri prioritete kryesore: stabilitetin, interesat ekonomike dhe tregtare dhe luftën kundër kërcënimeve të sigurisë.
Në këtë kuadër, ai veçon edhe rrezikun që paraqesin organizatat kriminale transnacionale nga Ballkani, të cilat, sipas tij, kanë krijuar lidhje me kartele në hemisferën perëndimore dhe përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat amerikane.
Për Shqipërinë, zyrtari amerikan thotë se SHBA-ja po bashkëpunon me autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe në zgjerimin e mundësive për kompanitë amerikane në tregun shqiptar.
Ai përmend gjithashtu një kredi të përfunduar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak, e cila pritet të ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e angazhimeve për shpenzimet e mbrojtjes në NATO dhe në rritjen e blerjeve të pajisjeve ushtarake të prodhuara në SHBA.
Lawton nënvizon se SHBA-ja nuk synon të tërhiqet nga Ballkani Perëndimor, por kërkon një angazhim të orientuar drejt rezultateve konkrete, ku vendet e rajonit të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në këtë strategji, Uashingtoni kërkon që vendet e Ballkanit të fokusohen te bashkëpunimi ekonomik, siguria dhe stabiliteti, duke shmangur rikthimin e vazhdueshëm te konfliktet dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës./REL/
Komente