Frrok Çupi

Po them për nënën e Edi Ramës që shkoi sot në mëngjes, dhe për nënën time që ka shkuar shumë vite më parë. Ka mes tyre një ndjesi sikur dita e fundit e njërës ka jetuar përmes ditës së fundit të tjetrës, në një distancë me shumë vjet.

Nuk desha ta përdor këtë dy-fjalësh nga gjuha frënge  ‘Déjà vu’; nuk desha ta përdor sa për arsye se është konsumuar shumë mes nesh, aq më tepër për arsyen se fenomeni më duket se është tipik shqiptar i keq.

Edhe nëna ime është sharë ditën që shkoi. E kanë sharë miqtë e mi, si sot miqtë e Edit shajnë nënën e Edit.

Më trishtoi paralelja mes dy nënave që nuk janë më…

Si ndodhi atëherë me nënën time? Ajo ishte një nënë mijëra herë më e vuajtur se Aneta, sigurisht; kishte lindur nëntë e rritur gjashtë fëmijë diku mes malesh. Ja, mund të krahasohej me nënën e Sali Berishës, për shembull, apo shumë liderëve të tjerë të ‘demokracisë’ që u rritën me vuajtje nënash dhe që nuk kishin lidhje me qytetin si Neta e Edit, si Eleni e Gramozit apo si Vera e Spartakut. Këto lloj nënash dukej sikur nuk ngjasonin fare me nënat e qytetit, por në fakt në thelb nuk kishin asnjë ndryshim. Ndërsa në ditën e fundit, jo të gjitha u shanë e u ‘vranë, e u thanë tradhëtor’.

Ta shash të vdekurin, sidomos në ditën që ky shkon në qiell- kjo është e tmerrshme. “Mos u ngatërro me të vdekurin, djalosh!… të vdekurit kanë fuqi mbinatyrore”, shkruhet në Bibël.

Prandaj mu kujtua nëna ime në ditën e vdekjes, sepse pashë e dëgjova si shkoi Neta.

1.

Ajo shkoi duke e sharë miqtë e të birit:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që para dy ditësh kur e mori vesh se nëna e Edit ndodhej në gjendje të rëndë, nisi t’i shajë të shoqin. Kristaq Ramën e quajti vrasës, ndërsa të birit i përmendi ‘varjen’. Edhe këshilltarët e presidentit, që në mëngjes pasi nëna e Edit dha shpirt, vërshuan të publikojnë vjershat e një poeti nga Kukësi që u var tragjikisht në regjimin komunist, dhe që këta duan t’ia ngarkojnë Kristaqit. Një marrëzi me dashje e regjimit stalinist ‘anti- komunist’. Tani priten postime të tjera prej ‘zombie’ në media sociale.

Edhe nëna ime shkoi duke u sharë prej shokëve të të birit:

Dy ditë pasi shkoi nëna ime, prill 1993, gazeta ‘RD’ botoi dy a tre shënime të neveritshme. Në të parin shkroi se ‘vdiq një kuçedër që lindi një monster’. Gazeta u vonua tre ditë që ta shante nënën time, jo pse nuk e kishte marrë lajmin në kohë, por sepse nuk kishte marrë akoma urdhrin nga lart për të sharë të vdekurën.

2.

Vdekja e nënave është një fenomen mbinatyror që ndan botën tonë të vogël njerëzore:

Bibla kishte një galaktikë të tërë me dije kur përcaktoi se ‘të vdekurit kanë pushtet mbinatyror’.

Sot, me vdekjen e Anetës, u vulosën dy botë ballë përballë. Deri më sot shumica nuk e kishin besuar se Edi nuk është njësh me Ilirin. Por sot Meta nuk pati fytyrë të ngushëllojë kryeministrin. Deri pasi dha shpirt Neta, Ilir Meta- aleat i Ramës, kishte sharë e nxjerrë gjak nga goja…, vallë si mund të ngushëllojë tani!? Vetë Krishti do ta gjuante me gurë.

Edhe për vdekjen e nënës sime nuk guxoi të ngushëllojë presidenti i Republikës në atë kohë kur kishim bërë demokracinë së bashku. Nuk mundi sepse kishte urdhëruar shegertët ta quanin nënën e vdekur ‘kuçedër’ në gazetë. Për momentin e fundit, larg në Mirditë, erdhën Gramoz Pashko e Mimoza Pashko, Azem Hajdari e Arben Imami…, por erdhën vetëm armiqtë e shpallur prej presidentit.

Nënat i lindin edhe miqtë edhe armiqtë; por ashtu është edhe vdekja e tyre që i ndan njërin nga tjetri- ky është pushteti mbinatyror i nënave.

3.

Nënat, kur shkojnë, nuk i marrin të këqijat me vete, i lënë këtu. Kjo është magnifica  e nënës, se nuk bëhet zot. As Aneta nuk i ka marrë me vete gabimet e Edit politikan. Nënat thonë me plot shpirt se vetë janë të gabueshme e jo më krijesat e tyre. Kushedi sa njerëz e sulmojnë Edi Ramën pse e ‘bëri president Ilir Metën’ që shan edhe të vdekurit. Nuk është kjo një çështje e orës së fundit pse ‘Meta ka sharë Netën kur po shkonte’. As mund të thuhet cili është i miri e cili është i keqi nga dy armiqtë.

As në rastin e nënës sime nuk mund të thuash nëse presidenti dhe gazeta RD ishin të këqij apo të mirë. Jo. Veçse ka një diferencë: Edi krijoji një president të keq, ndërsa unë krijova një gazetë të mirë ‘RD’, që na u sulën në ditën e fundit të nënave.

Kështu qenka këtu, me këta njerëz, që duan të shkojnë në Evropën e krishterë, ku rron postulati se ‘i vdekuri nuk shahet’.

Por bëhet edhe një lëshim në këtë rregull të paprekshëm: Sigurisht, ne nuk mund t’i ndalojmë të gjithë që të flasin si të duan, sidomos nuk mund të ndalojmë hakmarrjen e zombie- ve!- thuhet prapë në arsyetimin biblik.

VERITAS.COM.AL/