Parlamenti Europian ka miratuar sot në 17 qershor raportin e progresit për Shqipërinë me 483 vota pro.
Ndërsa, raporti ka marrë po ashtu 103 vota kundër dhe 70 vota “abstenim”.
“Shqipëria ka si objektiv që të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030. Gjithashtu, objektivi është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027.
Më shumë se 90 përqind e qytetarëve të Shqipërisë e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian”, ka thënë Schieder. Ai ka shtuar se Shqipëria si një shtet kandidat ka ndjekur hapat e nevojshëm.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku janë diskutuar raportet e hartuara rreth shteteve ballkanike, raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder vlerësoi progresin e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është tashmë një hap përpara në Bashkimin Evropian, sepse gjëja e veçantë, që mund të thuhet për të, madje receta e suksesit, është fakti se më shumë se 90% e popullsisë e mbështesin anëtarësimin në BE dhe spektri politik po ashtu e mbështet.
Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj integrimit evropian sepse të gjithë grupkapitujt e negociatave u hapën në 13 muaj. Kjo tregon gjithashtu se ky vullnet politik për reforma po jep rezultate”, tha Andreas Schieder.
Duke folur për sfidat e ardhshme, ai theksoi se zgjerimi nënkupton mbi të gjitha zbatimin e reformave afatgjata që forcojnë shtetin e së drejtës, drejtësinë sociale dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Edhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos shprehu besimin se Mali i Zi dhe Shqipëria si shtete pararojë nga rajoni ynë mund të jenë anëtarët e ardhshme të BE-së.
Komente