Pa u mbushur 24 orë nga miratimi në Bundestagun gjerman të hapjes së negociatave BE-Shqipëri me 9 kushte, ku më kryesori është ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, lëvizja e parë ka ardhur nga Presidenti.

Ilir Meta ka shpallur sot thirrjen për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. Në njoftimin e sotëm të kreut të shtetit thuhet se:

“Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin nr.530 prot, datë 26.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Vendimin e KED-së nr. 137, datë 21.09.2019, konstatoi se;

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave të paraqitura për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit zotit Besnik Imeraj dhe e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr.10723, datë 07.02.2018, ka evidentuar se nga 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë që kanë shprehur interesin për konkurim, kanë ngelur në garë vetëm dy kandidatë të lejuar për kandidim dhe, konkretisht, zoti Besnik Muçi dhe zonja Regleta Panajoti.

Bazuar në këto kushte, ku në garë për kandidim për plotësimin e kësaj vakance kanë ngelur vetëm 2 (dy) kandidatë, pra më pak se numri i domosdoshëm 3 (tre) kandidatë i parashikuar nga neni 125, pika 1 të Kushtetutës dhe neni 7/b, pika 4 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, në mbledhjen e datës 21 shtator 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me Vendimin nr. 137, datë 21.09.2019 ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e Presidentit të Republikës si organ emërtese për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant.”

Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 18 tetor 2019.

Gjermania kërkon që të ngrihen Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si dhe të arrihet një dakordësim për reformën zgjedhore, përpara konferencës së parë Shqipëri-BE, që konsiderohet si çelja zyrtare e negociatave të anëtarësimit.

Veritas.com.al/