Shkëlzen Berisha paraqitet në SPAK. Ai është futur para pak minutash në Prokurorinë re Posaçme.  Burime për gazetaren e Report Tv Keti Banushi bëjnë më dije se ai është thirrur për tu marrë në pyetje nga prokurori i çështjes së Gërdecit, Klodian Braho.

Kujtojmë se një muaj më parë ishte ishte Aldo Bumçi, ish ministër Drejtësie në qeverisjen e Sali Berishës gjatë kohës që shpërtheu Gërdeci i cili kur u mor në pyetje NGA SPAKka dhënë sqarime mbi hetimet për tragjedinë, mes të cilave edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”. Pas 15 vjetësh, Bumçi është kujtuar të tregojë se nuk e ka shkruar ai shkresën, por që kemi të bëjmë me një falsifikim, e ndërsa një qëndrim i tillë nuk ishte dëgjuar më parë as nga vetë personi i përfshirë, në rastin konkret, djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha. Shkëlzen Berisha mbase i jep sqarim për herë të parë ndonjëherë deri tani se çlidhje kishte ai me këtë shkresë dhe me tragjedinë e Gërdecit.

Shkresa ‘Për Shkëlzenin’ dhe tragjedia e Gërdecit
Dokumenti është nisur nga zyra e ish -ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi mban datën 13 mars të vitit 2007 dhe është shkresë e dërguar për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Faksi i mësipërm, për të cilin ish-ministri i Drejtësisë ngulmon se është i falsifikuar është protokolluar nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrotjes, duke i dhënë efekshmërinë e plotë ligjore edhe pse ishte përcjellë nga zyra e ish- ministrit të Drejtësisë nëpërmjet faksit. Në këtë shkresë, Bumçi shprehet parimisht dakord me draftin për demontimin e municioneve ushtarake, ndërsa i rekomandon Mediut që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit. Përveç mbishkrimit që faksi t’i dërgohej edhe djalit të kryeministrit, fakt është një ditë më vonë, Berisha ka mbledhur Këshillin e Ministrave për të miratuar pikërisht atë projekt –vendim që do t’i hapte rrugë ndërtimit të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Më 14 mars 2007, një ditë pas datës së faksit, Këshilli i Ministrave ka vendosur me iniciativë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu të miratojë vendimin për procedurën e trajtimit të armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi.

Deri tani vetëm Fatmir Mediu i pandehur
Fatmir Mediut iu komunikua zyrtarisht akuza për ‘Shpërdorim detyre’ nga Prokuroria e Posaçme për tragjedinë e Gërdecit. Si person i marrë zyrtarisht i pandehur, Mediu është marrë në pyetje për 60 minuta. Në daljen e tij për mediat, Mediu tha se SPAK nuk kishte asnjë provë shtesë dhe se akuzë është e motivuar politikisht. Mediu tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me firmën amerikane që merrej me demontimin, teksa sfidoi duke thënë se “Nëse gjejnë një kontakt timin përtej detyrës si ministër mbaj përgjegjësi maksimale”. Ish-ministri i i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.

Lajm në përditësim…