Nga: Veritas.com.al/

Kështu ndodhi me ” grabitësin” e bankës te sheshi “21 Dhjetori” para dy ditësh. Policia njoftoi se krimin e kryen dy persona me kasketa dhe me një motor të vogël. Vetëm pas disa orësh, Policia deklaroi me gëzim se njëri nga të dyshuarit “u gjet” dhe shpalli foton e njeriut të “kapur”. Fotografia tregon një mesoburrë, me pak flokë, pa kapele, pak i menduar ose e dhe i menduar për punët e veta, që ecën në trotuar.

“Ky është grabitësi që kapen kamerat”- deklaroi Policia. L. Kodra (ky është emri) sapo pa foton e tij në media, reagoi menjëherë. “Unë jam në foto- tha ai,- por nuk jam unë që kam grabitur”.

Qytetari i fotografuar dhe shpërndarë nga Policia, nuk ka lidhje me Bankën. Disa burime thonë se ai po kalonte aty pranë. Disa burime të tjera thonë se zoti Kodra po shkonte në bankomat ku do të kryente tërheqje  parash.

Sidoqoftë, Policia nuk po reagon më. Domethënë se me një guxim anti njerëzor, Policia mund të të shpallë hajdut ose vrasës ose trafikant, vetëm pse ti kalon në rrugë. Mund të të shpallë të sëmurë mendor në qoftë se qëndron në shtëpi. Mund të të shpallë ari në qoftë se del në ekskursion. Mund të të shpallë armik në qoftë se të shikon pranë vijës kufitare shtetërore.

Kjo është e tëra. A do të reagojë vallë Policia që ti kërkojë falje publike zotit Kodra. Po nderin e ti të nëpërkëmbur, si do ta çojë në vend?

Po frikën tonë se mund të na ndodhë e njëjta gjë, si do ta bëjë?

Sa pyetje dalin pas aventurave të Policisë…

/Veritas.com.al/