Ministria e Mbrojtjes sot ka shpërndarë një komunikatë mbi veprat humane të helikopterëve të Ushtrisë në ndihmë të njerëzve që kanë nevojë për të përballuar fatkeqësitë e motit të keq.

Ministria njofton se ka vënë në shërbim të jetës dy helikopterë Cougar.

Gjatë ditës së sotme ata kanë transportuar tre persona të bllokuar në një minierë të Iballës në Pukë dhe një grua shtatzënë nga fshati Konaj në Mirditë drejt spitalit në Tiranë.

Por ka qenë ironike se si një grua në fshatin Arrën, fshat shumë i thellë, në Kukës, edhe pse e sëmurë, nuk ka pranuar të hipë në helikopter. Edhe pse helikopteri ka pritur rreth gjysmë ore sa gruaja të bindej, përsëri ajo nuk pranoi.

Të afërm të saj në fshat thanë se nuk kishin kërkuar helikopter familjarët e gruas, por ndoshta ndonjë aktivist i fshatit ka kërkuar dhe “helikopterët deshën të bëjnë planin”.

Ndërsa një komentator në facebook shkruan: “Shyqyr që ky është vit i zgjedhjeve, se as nuk do të na shikonte njeri me sy”.

Veritas.com.al/