Një 48-vjeçare nga fshati Fiershegan në Lushnjë ka ndërruar jetë dje në ambientet e bashkisë Lushnjë. Shpresa Cani ka shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse i është hequr ndihma ekonomike.

Pasi është paraqitur në zyrën e informacionit, ajo është i është drejtuar ndihmës sociale. Sipas burimeve viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyrë rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale si dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.

Më pas 48-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e bashkisë Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren. Sapo ka kryer takimin ajo është ndjerë keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit në Lushnjë.

Pas mbërritjes së ambulancës, Shpresa Cani kishte ndërruar jetë në vend në ambientet e bashkisë dhe sipas burimeve thuhet se ka pësuar infarkt, por ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë edhe shkakun e vërtetë të vdekjes së 48-vjeçares. Po ashtu burime thonë për Report Tv se ajo vuante nga epilepsia.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa policia ka reaguar një ditë me vonesë në lidhje me vdekjen 60-vjeçares, e sipas tyre ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Ndërkohë pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjë ka referuar materialet në prokurorinë e rrethit për të hetuar shkaqet vdekjes së 48-vjeçares.

Familjarët e të ndjerës Shpresa Cani, kanë thënë për Report Tv se 48-vjeçarja ka shkuar në bashki për të bërë letrat e KEMP-it

‘Jam tezja. Do bënte disa letra atje. Kishte shkuar për të bërë letrat e KEMP-it. Vuante nga sëmundja e gjakut nga anemia. Iku bëri punët këtu lau shplau dhe kur thanë vdiq atje ne u habitëm, vdekje e papritur ishte.’- u shprehën tezet e 48-vjeçares.