Kryeministri Edi Rama ka komenuar përurimin e kinemasë ”Maks Velo” në Tiranë që mban edhe emrin e piktorit dhe artistit Velo që u nda nga jeta pak ditë më parë.
Rama thotë se ky teatër është shëmbëlltyrë e botës së Maks Velos, ku errësira mbushej me figura e tinguj ngjyrash, ndërsa drita me jehonë hapash të vetmuar.
Statusi i Edi Ramës:
‘Maks Velo u nda nga kjo jetë pak kohë më parë, pas një rrugëtimi vetmitar, plot ëndrra e pasion krijues, me ambicie e inate të mëdha, shfaqje ekstravagante të lirisë individuale, si kur përfundoi në ferrin e të mallkuarve të komunizmit dhe si kur u kthye nga ai ferr në xhunglën e tranzicionit shqiptar, me të njëjtën fuqi për t’i mbijetuar dyndjes së re të barbarisë kulturore, herë si pëllumb e herë si skifter, duke lënë pas një thesar kujtimesh tek miqtë e armiqtë e tij dhe një emër të dallueshëm në historinë e artit e të kulturës shqiptare🙏
Emrin e Maksit do ta mbajë tashmë kinemaja e rindërtuar në Laprakë, e cila si për ironi të fatit lindi me emrin “Ylli i Kuq” dhe rilindi me emrin e Maks Velos, si një shembëlltyrë e vetë botës së tij, ku errësira mbushej me figura e tinguj ngjyrash, ndërsa drita me jehonë hapash të vetmuar…’.
VERITAS.COM.AL