(FOTO: Rama dhe Vucic në Beograd)/

Nga Laert Skiro/

Në fakt nuk po kuptohet asgjë. Ose më mirë të thuash çdo gjë është e qartë, Serbia bën sikur do të ketë konflikt me qeverinë e Shqipërisë. Arsyeja? Sepse ministri i Brendshëm i Shqipërisë i paska shkruar letër Interpolit që” të lirojë” Ramush Haradinaj në Colmar të Francës.

Atëherë edhe ministri i Brendshëm i Serbisë i shkruan letër Interpolit që “të mos lirojë” Haradinajn. Të dyja janë fiasko.

Askush nuk di në se letra e ministrit të Shqipërisë arriti në dorë të Interpolit. Aq më tepër që nuk u tha asnjë fjalë nëse “Interpoli u shqetësua ose u aktivizua” nga kjo letër. Një zero. Mund të ketë ndodhur edhe që pala shqiptare të mos e ketë nisur fare letrën; se po ta niste do të ishte një budallëk dhe Interpoli do t’ia referonte Bashkimit Europian si një devijim nga principet i qeverisë Shqiptare. Sepse dihet që Interpoli nuk është për të liruar njerëz nga burgu. Përkundrazi, Interpoli është për të gjurmuar njerëz që t’i dërgojë në dorë të Drejtësisë… Të tjerat janë gjepura, ose thjesht propagandë për njerëzit “dele” që japin vota për patriotizëm këtu brenda vendit.

Po kështu, po kaq gënjeshtër dhe naivitet është ajo që bën ministri i Brendshëm i Serbisë, Stefanoviç. Edhe ai i shkruan Interpolit që “të mos lirojë” Ramush haradinajn. Njësoj si ky ministri i brendshëm këtu. As serbi nuk ka të drejtë ta bëjë atë që thotë se ka bërë: Letër Interpol. Gjë që nuk besohet se e ka bërë, sepse Interpoli do t’ia hidhte fytyrës.

Atëherë, çfarë?

Me siguri kjo është e tëra një skenë teatri ku aktorët kryesorë janë Vuçiç në Serbi dhe Edi Rama në Tiranë. Këta janë mjeshtër lojërash dhe propagande. Serbisë i duhet mashtrimi, sepse kryeministri nacionalist e ka çuar vendin në buzë të greminës. Edhe ky i Shqipërisë është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe në buzë gremine. Këta kanë ditur si të bëjnë lojëra të ulëta deri tani, herë në dëm të Kosovës, herë për kot ose për drone në futboll. Por kanë një stil sorosian prej garipësh që bëjnë sikur po luftojnë njëri tjetrin, e në fakt po ngrenë skena mashtrimi.

Tani po mashtrojnë në llogoret e nacionalizmit. Dhe ka shumë njerëz që i hanë; madje po i hanë edhe disa media.

/Veritas.com.al/