
Nga Ardit Rada
Një muaj pas zgjedhjeve të 11 Majit në Partinë Demokratike kemi tre rryma pretendimi mbi manipulime. Së pari është ajo e Gazment Bardhit, që edhe pse jo zyrtare, mbështet tezën se zgjedhjet u blenë para 11 Majit. Së dyti janë një mori kandidatësh që s’kanë çfarë të humbin dhe pretendojnë se demokratët janë vjedhur mes tyre. E së treti kemi Sali Berishën që ka gjetur fabulën e re së zgjedhjet u vodhën pikërisht ditën e votimeve përmes ‘trenit bullgar’. Domethënë sipas Berishës, populli u shit dhe mijëra demokratë zgjodhën paranë në vend që të sillnin ndryshimin me Berishën, Nokën, Vokshin, Palokën, Balliun, Këlliçin e të tjerë.
Përtej kësaj panorama qesharake të ofertës së PD në 11 Maj, dua të ndalem te ‘treni bullgar’ meqenëse çfarë thotë Berisha e përqafojnë më kollaj në panelet televizive analistët e mosvarur dhe militantët e rrjeteve sociale, që me komente false mallkojnë këdo që mendon ndryshe.
Unë personalisht e kam dëgjuar historinë e ‘trenit bullgar’ që kur votova për herë të parë në vitin 2005. PD kishte arritur të krijonte për të fundit herë një frymë fitoreje, mbështetur edhe nga PS-ja e përçarë e shumë faktore të tjerë. Në atë kohë nuk kishte emer sepse nuk ishte shpikur interneti që politika të shtirej sikur dinte më shumë. Bëhej fjalë për mekanizmin e shkëmbimit të një flete të plotësuar në favor të PD me një fletë boshe. Mbi këtë kujtim timin nuk dua të anatemoj fitoren e Sali Berishës në vitin 2005, por dua vetëm të kuptohet se ‘trenin bullgar’ mund ta nisë vetëm një parti në opozitë që mbi të gjitha ka krijuar frymë.
“Treni bullgar” mendohet se është përdorur në Bullgari në zgjedhjet e para pluraliste ku përballeshin komunistët në pushtet me opozitarët e lindur rishtaz. Duke qenë se populli i trembej diktaturës, u zgjodh kjo forma e shkëmbimit të fletëve të plotësuara me një boshe për të krijuar besimin dhe për të arritur rezultatin. Megjithatë, kjo nuk është provuar kurrë se ka ndodhur në Bullgari.
Në pretendimet e Berishës, së pari ‘treni bullgar’ nuk funksionon teknikisht. Imagjinoni një democrat që i japin fletën e plotësuar për Partinë Socialsite dhe i kërkojnë atë boshe mbrapsht. Demokrati që lë kokën pas Berishës dhe zgjedhjeve të lira mund t’i shtojë dhe një kryq ekstra fletës në favor të socialistëve dhe ta fusë në kuti të pavlefshme. Askush nuk do ta merrte vesh dhe mbi të gjitha do të fuste dhe paret në xhep. Dhe ky zinxhir i pagëzuar si tren ndoshta nuk do t’i jepte Berishës vota, por PS-së jo e jo!
Tani të kthehemi tek pretendimet e Sali Berishës, faturinove dhe pasagjerëve të tij të verbër që i mbajnë ison në qindra orë emisione televizive.
Duke besuar fjalën e Berishës, Shqipëria është në një narko-diktature. Apo siç thotë vetë ai, një diktaturë edhe më e keqe se ajo e Enver Hoxhës.
Duke e marrë të mirëqënë këtë, duhet thënë se në kontekstin e zgjedhjeve në regjime diktatoriale, për fenomenin e njohur si “treni bullgar” dilet në një konkluzion absolut: Ky mekanizëm mund të përdoret vetëm nga opozita dhe jo nga vetë regjimi gjakatar, drogaxhi etj.
Komente