Nga Laert Skiro/

“Trafikanti” i akuzuar për trafikim influencash dhe droge, quhet Ardian Loci. Deri pardje ishte shofer në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shtetit. Tani ndodhet në qeli.

Sot doli para gjykatës për vlerësimin e masës së arrestit, në Shkodër. Gjykata, për të arritur në pikën e dhënies së masës, ka kryer hetimet e saj. Ardiani hetohet si një “trafikant” me pasuri të madhe; përderisa ka trafikuar influencat (iu ka treguar fshatarëve se po vjen policia), dhe ka trafikuar drogë. Për këtë arsye Ardiani ndodhet në qeli. Për këtë arsye në qeli ndodhen edhe 18 malësorë të tjerë të Shkodrës që u kapën pardje në një aksion të rëndë të policisë ku u angazhuan qindra policë.

Të tjerët ndodhen në qeli më vete; Ardiani po shpjegon pasurinë e tij si “trafikant”.

-Çfarë po transportoje?.. – pyeti gjykatësi rreth një elementi në dosje.

-Një thes me miell për një fqinjin tim. Ai është më keq se unë; kishte ditë pa bukë në shtëpi.

-Ku e ke fshehur pasurinë?

– Në shtëpi e kam atë çfarë kam. Nuk kam mundur të shtroj pllaka në shtëpi; dyshemeja ime është toka.

-Ku ishe në momentin e arrestimit?

-Sapo kisha hyrë në shtëpi; gruaja më kishte lënë pak ushqim nga i fëmijëve dhe po haja bukë.

-Gruaja çfarë misioni ka në këto punë?

-Gruaja është e sëmurë. Më kanë thënë se ka sëmundje të keqe… Edhe vajzën e kam të sëmurë.

-Pse nuk thua “dy vajza” siç i ke në certifikatë? Ku e ke tjetrën?

-Nuk e di ku e kam….- tha Ardiani dhe shpërtheu në lot para gjyqtarëve.

Ardiani dihaste dhe thërriste “ku e kam vajzën e vogël… ajo po më pret, kush do ta sjellë në shtëpi?!”.

Policët që e rrethojnë në gjyq, u përpoqën të qetësojnë Ardianin, por aai thoshte se nuk ka kush e merr vajzën e vogël që ta sjellë në shtëpi- Gruaja dhe vajza tjetër janë të sëmura.

Gjyqtarët nuk u prekën, por nuk kishin gjë tjetër në dosjen hetimore në ngarkim të Ardian Locit. I bënë pyetjen e fundit rutinë: “Çfarë ke gjë tjetër?”

-Po kam. Kam për të thënë. Gruaja dhe vajzat nuk kanë bukë në shtëpi! Duhet t’u çoj bukë ose të vras veten!- tha Ardiani.

… Ky ishte trafikanti që akuzon shteti. Trafikantët e vërtetë “po shëtisin me kalë”, thoshte një film i vjetër. Tani po shëtisin me eskortë.

/Veritas.com.al/