Ministri i Diasporës Pandeli Majko ka deklaruar se Presidentit Meta i duhet të ulë palët në tavolinë për dialog dhe jo të bëhet palë e të bëjë mitingje.
Ish kryeministri dhe një nga “Pishtarët e Demokracisë”, Majko e ka quajtur të paprecedentë thirrjen e presidentit Meta për të dalë në tubim më 8 dhjetor.
Ndër të tjera ai ka shtuar se tashmë nuk është koha për tubime dhe se ‘8 dhjetori’ i takon një situate të caktuar politike.
“Nuk është koha për tubime, 8 dhjetori i takon një situate të caktuar. Presidenti i duhet të ulë palët në tavolinë dhe jo të bëhet palë.
Nuk e kuptoj të dalë presidenti nëpër Shqipëri dhe të bëjë miting. Nuk di të ekzistojë ky precedent në vende të tjera perëndimore ku ne aspirojmë.” tha Majko.
Presidenti Meta pretendon të ri-sjellë në 8 dhjetor 2019 tubimin mbarë popullor, të ashtuquajturën “Lëvizja e Dhjetorit 1990” në Shqipëri që solli pluralizmin politik, ndryshoi sistemin duke i dhënë fund një epoke 46-vjeçare.
Ditën e djeshme Meta paralajmëroi të mbajë një tubim në “Sheshin Demokracia” në Qytet Studenti, aty ku dhe nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90. Sipas pretendimeve të Metës, që konfirmohet nga zëdhënësi i tij , Tedi Blushi ky “tubim mbarëpopullor synon Nisjen e një Dialogu me Shqipërinë!”
Me ftesën për tubim, kreu i shtetit qartazi tashmë ka dalë hapur me flamurin e opozitës, ku edhe më herët, gjatë takimeve konsultative që nisi për zgjidhjen e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, presidenti foli me gjuhën e opozitës jashtëparlamentare kur mbështeti qëndrimin e kryedemokratit Lulzim Basha për zgjedhje të parakohshme.
Megjithatë kreu i PD-së, Lulzim Basha ka lënë të kuptohet se ai nuk do t’i bashkohet duke thënë se ky është një dialog i kreut të shtetit me qytetarët, e ndërsa ai do të vijojë “Rrugëtimin e tij për Shqipërinë”./shqiptarja.com/