TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një reformë të re në administrimin e pasurive të paluajtshme, duke theksuar se qeveria synon bashkimin e disa agjencive në një strukturë të vetme për të shmangur konfuzionin dhe problemet burokratike.

Sipas Ramës, funksionimi i agjencive të ndara nuk ka ndihmuar procesin, por përkundrazi ka prodhuar më shumë vështirësi në administrimin e pronave.

Ai tha se tashmë ekziston një ide e qartë për mënyrën se si duhet të funksionojë administrata e pasurive të paluajtshme, duke nisur nga bashkimi i institucioneve përkatëse deri te vijimi i reformave në këtë sektor.

Rama u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke e cilësuar Bashkimin Europian si të vetmen rrugë për Shqipërinë.

“Së shpejti do të kemi edhe reformën e Agjencisë. Do të sjellim më shumë detyra nën një ombrellë, sepse të pasurit e agjencive të veçanta dhe të ndara nuk e ka ndihmuar procesin, sepse kur agjencitë shkojnë në drejtimet përkatëse ka krijuar më tepër konfuzion dhe ka sjell më tepër telashe.

Tani besoj se kemi një ide të qartë dhe mënyrën se si ta formësojmë administratën e pasurive të paluajtshëm nga a-zh, me bashkimin e një sërë agjencish në një dhe pjesa tjetër është të vazhdojmë punën.

Kemi bekimin, por edhe mallkimin, sepse kemi tutorin mbi kokë i cili na thotë këtu është mirë, këtu është keq. Këtu ke dalë mirë, këtu nuk ke dalë mirë, vazhdo këtu, vazhdo atje me drejtimin e punës dhe kjo ndihmon me patjetër.

Me BE një gjë është e sigurt : natën s’ke makthe, nëse zgjedh një rrugë tjetër gjatë ditës mund të ndjehesh më i lirë, por ama pastaj natën do kesh makthe. Kështu që nuk ka alternativë tjetër ndaj BE në këndvështrimin tim nuk ka plan B, nuk ka plan C. Është vendi i duhur në të cilin duhet të jemi patjetër. Nuk ka alternativë ndaj BE!”, tha ai./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *