I ftuar në studion e Top Talk, gazetari Artan Hoxha foli edhe për një “marrëveshje” mes institucioneve ligjzbatuese dhe krimit të organizuar në vend.

Sipas tij me një marrëveshje të tipit: Ti nuk më shqetëson dhe unë nuk të shqetësoj; Fieri, Tirana dhe Durrësi, janë kalatë e fundit ku funksiononte marrëveshja e krimit ku hyjnë edhe segmente të caktuara të agjencisë të zbatimit të ligjit, përfshirë Polici, Prokurori, SHIK.

“Fieri, Tirana dhe Durrësi, janë kalatë e fundit ku funksiononte marrëveshja e krimit. Në marrëveshje hyjnë edhe segmente të caktuara të agjencisë të zbatimit të ligjit, përfshirë Polici, Prokurori, SHIK. Brenda Marrëveshjes, pra ti nuk më shqetëson dhe unë nuk të shqetësoj”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se “Krimi i organizuar i njeh këto situata”.

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja se: A janë të zonjat organet ligjzbatuese të vendosin nën kontroll situatën, apo e kanë të pamundur me këtë lloj realiteti që jemi?

Artan Hoxha u përgjigj: ” Në gjendjen që janë e kanë shumë të vështirë që ta arrijnë. Sidomos për të goditur këtë natyrë krimi. Sot ne po kërkojmë minimalisht stabilitet dhe qetësi në rrugë, atë të dukshmen. Shikoni ngjarjet në Elbasan, kemi 2-3 të vrarë pa autorë. Si është e mundur, Elbasani është një qytet që dihet se sa hyrje-dalje ka. Është një qytet që dihet se çfarë grupesh kriminale veprojnë aty, por vetëm një prej tyre ka në historikun e vet 4 efektivë policie të vrarë, përveçse përplasjes direkte me policinë. Pra kur arrin në përmasa të tilla është shumë e vështirë që për policin e thjeshtë që të përballet me grupe kriminale që kanë buxhet miliona euro”.

Më tej ai thotë se ka pasur përpjekje me partnerët ndërkombëtarë për të bërë diferencën në këtë betejë, por që nuk kanë pasur sukses të plotë.

“Ka pasur raste pozitive, ndryshimi drejtorit të policisë në Shkodër si dhe operacionet atje dëshmuan se ne nuk kemi vrasje në Shkodër këto kohë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi. Aktualisht të dy grupeve nuk u është bërë e mundur që të dalin lirisht nëpër qytet, por s’janë kapur të gjithë pjesëtarët e tyre dhe të vihen para drejtësisë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Elbasan me operacionin e 14 qershorit”, tha gazetari Hoxha duke theksuar se “Tentativa ka pasur, por që të kesh sukses kundër krimit së pari duhet që të kesh edhe një bashkëpunim shumë të mirë me Prokurorinë. Por ndodh që unë e takoj të hënën prokurorin dhe pas tre ditësh ai është larguar nga detyra. Imagjinoni se çfarë ndodh me dosjet. Prokurorit të ri i duhet një kohë e gjatë që të merret me dosjen, pastaj të bëjë llogaritë nëse i ka mundësitë që të përballet me këtë organizatë, apo jo”.

Veritas.com.al/