Numri dy i PS i Taulant Balla në Kuvend vlerësoi ecurinë e Reformës në Drejtësi,  dhe qartësoi se koha kur prokurorët e përgjithshëm emërtoheshin si ‘horra dhe lavire bulevardi’ ka përfunduar.

Tashmë , shtoi ai edhe emërtesa politike e njerëzve të drejtësisë ka përfunduar, ndërsa Shqipëria nuk do të bëjë përjashtim sa i përket politikanëve që do të hetohen.

Shumë vite më parë kur vinte të raportonte Prokuroria e Përgjithshme e bojkotonin raportimin e prokurores së përgjithshme. Sepse në atë kohë ishin horri dhe lavirja e Bulvardit. Këto kohë kanë ikur. Ne duhet të konsolidojmë këtë rritje të pavarësisë të institucioneve tuaja. Në këtë Kuvend përmendeshin zëra për vendet e punës për gjyqtarë dhe prokurorë. Ne sot kemi fale kësaj Reforme, vendimmarrje të duhur, emërtesa të duhura, masa disiplinore të duhura.

71% janë marrë të pandehur, nga rastet e referuara. Kjo është një shifër që është shumë domethënëse, kurrë më parë institucionet e prokurorisë nuk kishin një shifër që shkonte përtej 70% të personave të marrë në hetim. Në kohën e Saliut dhe të Metës, nuk e kalonte 10-12% nga ato që janë referuar. Ky është vetëm fillimi. Askush të mos thotë se ky është niveli më i lartë që kemi arritur. Procesi i vettingut na ka garantuar që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë persona që e kanë kaluar vettingun. Kemi deficite në numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, pasi nuk kanë kaluar vettingun.

Sa i përket politikanëve as Shqipëria nuk do të bëjë përjashtim nga vende të tjera që kanë kaluar këtë proces. Para 7-8 vitesh në Rumani ishin në proces dënimi nga kryeministra tek ministra një numër i konsiderueshëm. Edhe në Shqipëri ka ish-ministra në dyer të gjykatave, ka prokuror që janë dënuar në një shkallë të gjyqësorit. Ky është një proces që do të vijojë. Koha kur politika kishte kompetenca në emërtesa ka përfunduar një herë e përgjithmonë.’- tha Balla.

VERITAS.COM.AL