(Foto: Prokurori Erjon Shqarri dhe gjyqtarja Arbana Semanaj- Vlorë)
Nga: Adriatik Doçi/
Shqiptarja.com sjell fakte dhe rrethana të reja rreth lirimit nga qelia pesë muaj më parë të Shpati Lena, vetëm tre ditë pasi ishte kapur me armë pa leje në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Lena u ekzekutua dje me breshëri kallashnikovi bashkë me Hakim Xhezon, në autostradën Fier-Vlorë.
Gjyqtarja e Vlorës Arbana Selmanaj urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të Shpati Lenës, por me kërkesë të prokurorit Erjon Shqarri, i cili rezulton në proces verifikimi nga Komisioni i Vetingut që në muajin dhjetor 2020. Duhet theksuar se në fazën e caktimit të masave të sigurisë, sipas Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari nuk mund të caktojë një masë më të ashpër se sa masa e kërkuar nga prokurori.
Në rastin konkret, pesha kryesore e vendimarrjes për lirimin nga qelia të Shpati Lena bie mbi prokurorin Erjon Shqarri dhe jo mbi gjyqtaren Arbana Selmanaj. Gjyqtarja Selmanaj mund të shënonte në vendim opinionin e saj se nuk ishte darkord me propozimin e prokurorit, por është e detyruar ta pranojë për shkak të ligjit etj., shënim të cilin nuk e ka bërë edhe pse nuk është detyrues.
Erjon Shqarri ka ngritur ndaj Shpati Lena vetëm akuzën e dyshuar të ‘përkrahjes së autorit të krimit’, parashikuar në nenin 302 të Kodit Penal, duke kërkuar masën e sigurisë detyrim paraqitje. Në 22 mars të vitit 2022, policia ka arrestuar në flagrancë Shpati Lena, Ariel Kingji dhe Kristo Drolli për armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit.
Policia ka ndaluar makinën tip BWV pasi kishte informacion se në makinë udhëtonte një person në kërkim Ariel Kingji. Theksojmë se Ariel Kingji dhe Kristo Drolli kanë marrë pjesë bashkë me Shpati Lena edhe në ngjarjen e 4 gushtit 2019, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre, pas sherri për një kalë. Kjo tregon se Lena, Kingji dhe Drolli nuk ishin rastësisht bashkë.
Në makinë udhëtonin pikërisht Ariel Kingji që ishte në kërkim, Kristo Drolli dhe Shpati Lena. Gjatë kontrollit, policia i gjetur një pistoletë Ariel Kingjit një pistoletë. Gjithashtu, policia ka gjetur një pistoletë tjetër në makinë, anash vendit të shoferit.
Kristo Dolli ka deklaruar se ka qenë duke kaluar me makinë tek Uji i Ftohtë, ku i kanë ngritur dorën dy persona, të cilët i njihte dhe i kishte në lagje, të cilët i ka marrë në makinë. Të njëjtin version ka dhënë edhe Shpati Lena. Ata kanë pohuar se nuk e dinin se Arieli ishte në kërkim.
Në rrethana të dyshimta, ndaj Shpati Lena është ngritur vetëm akuza e përkrahjes së autorit të krimit, pra të Ariel Kingjit. Vetë Kingji është akuzuar për armëmbajtje pa leje. Kristo Dolli është akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe përkrahje e autorit të krimit. Në këto kushte, prokurori Erjon Shqarri ka kërkuar lirimin nga qelia të Shpati Lena, kërkesë që është pranuar nga gjyqtarja Arbana Selmanaj, e cila nuk kishte asnjë rrugë tjetër ligjore.
Prokurori Erjon Shqarri është bashkëshorti i prokurores të shumëpërfolur të Durrësit Anita Jella. Shqarri pritet të dalë në vijim para Komisionit të Vetingut për t’u njohur me dosjen e verifikimit.