(FOTO: Majori Josh Jacques dhe kopertina e Foreign Policy)/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrate e nobelistit për paqe, Barack Obama, ka përdorur predha me uranium të varfëruar në Siri.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komandës Qendrore të Ushtrisë amerikane, majori Josh Jacques i cili ka konfirmuar një gjë të tillë për revistën “Foreign Policy”.
Predhat janë përdorur gjatë sulmeve ndaj kamionëve të ISIS në vitin 2015 dhe në total arrijnë në 5 265 copë të lëshuara nga avionët A -10 në shkretëtirat lindore të Sirisë.
Zyrtarët amerikanë dhe ata të koalicionit të udhëhequr nga SHBA kanë deklaruar vazhdimisht se municioni që ka në përbërje uran të varfëruar nuk ishte përdorur dhe nuk do të përdorej në fushatën ajrore, diçka që sot duket se ka qenë gënjeshtër.
Revista FP sjell në kujtesë një deklaratë të marsit 2015 të zëdhënësit John Moore që thoshte se “SHBA dhe koalicioni nuk kanë përdorur dhe nuk do të përdorin uran të varfëruar në Irak dhe Siri gjatë operacionit Inherent Resolve”.
Përdorimi I uranit të varfëruar në municione ushtarake është bërë problem për herë të parë në fushatën e Irakut të vitit 2003 dhe qysh atëherë ky është rasti i parë që një çështje e tillë rishfaqet. Hedhja e këtyre predhave thuhet se krijon pasoja të rënda për popullsinë vendase si deformime në lindje apo shtim të rasteve të shfaqjes së kancerit.
Më e rëndë akoma është mashtrimi i publikut nga një administratë që u akuzua se përdori edhe dronët për vrarë njerëz në një shfaqje të mekanizimit të vrasjes dhe telekomandimit të saj. Ky rast vjen pak ditë pasi presidenti Trump deklaroi se SHBA ka kryer krimet e saj në luftë.