(FOTO: Odisea dhe Majlinda Andrea)/
Në publik i mbeti emri “burri i Majlinda Andreas” që ditën që “u kap” në korrupsion. Po e përmendim me emrin që ka vërtet: Odisea Andrea nga ku ka marrë mbiemrin edhe gruaja e tij gjyqtare Majlinda Andrea, pas një periudhe 7 mujore i larguar nga vendi, dje është dorëzuar në Polici. Ai ishte vënë në kërkim nga Policia me një akuzë për korrupsion, më saktë për ryshfet në një çështje gjyqësore që po gjykonte gruaja e tij, Majlinda, në atë kohë anëtar e Gjykatës së Lartë.
Ai ishte i dyshuar se ka marrë një shumë prej 50 mijë euro nga një qytetar që kërkonte një të drejtë pronësie,dosjen e të cilit po e gjykonte e shoqja Majlinda.
Majlinda, për shkak të kësaj akuze është shkarkuar nga detyra e gjyqtares në Gjykatën e Lartë. Ndërsa Odisea, ish zyrtar në Kuvendin e Shqipërisë, që ditën e formulimit të akuzës, u largua nga vendi për të mos u përballur me organet e drejtësisë.
Zoti Andrea pas shtatë muaj është dorëzuar në Polici dhe ka deklaruar se hedh poshtë akuzat që i janë drejtuar si autor i një korrupsioni pasiv.
“Erdha në Shqipëri dhe po dorëzohem para Drejtësisë për ti dal zot vetes pi çfarë është thënë për mua kanë qenë të pavërteta. Të vërtetën do ta them unë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë ai ka zbuluar edhe shtetin ku ndodhej gjatë kësaj mungese prej shtatë muaj. ” Kam qenë në Itali”, ka thënë.
Pas kësaj nis hetimi dhe gjykimi i çështjes nga organet e drejtësisë.
Më 16 korrik të 2016, Prokuroria e Përgjithshme zbardhi skemën e dhënies së parave nga klienti që kërkonte drejtësi në gjykatë dhe për të cilën u akuzua çifti Andrea. Lidhur me këtë çështje gjyqësore janë arrestuar edhe shtetasit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.
/Veritas.com.al/