Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka mbyllur, mes tensioneve, seancën e sotme parlamentare, pas kërkesës së kreut të grupit të PS-së, Niko Peleshi, për të shtyrë diskutimin e pikave të rendit të ditës në seancën e ardhshme.

“Seanca në këto kushte, do të kërkoja në emër të Grupit të PS që pikat e rendit të ditës të votohen seancën e ardhshme”, tha Niko Peleshi, pas rinisjes së seancë që u ndëpre për shkak të ofendimeve të deputetëve të PS dhe PD ndaj njëri-tjetrit.

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit u shpreh se rendi në Parlament ishte cenuar seriozisht dhe apeloi deputetët të kërkonin falje për gjuhën e përdorur.

Më pas, Spiropali njoftoi mbylljen e seanës parlamentare, teksa shtoi se data e seancës së ardhshme do të njoftohej në një moment të dytë.

“Rendi në seancë është cenuar seriozisht, gjuha e përdorur në seancë, dhe nuk po i vë gishtin as njëri as tjetrit, duke qenë se gjuha e urrejtjes, denigrimit ndikon në të gjithë shoqërinë shqiptare, dua t’ju bëj thirrje deputetëve të përmbaheni në fjalorin ndaj njëri-tjetrin.

Kjo sallë nuk përfaqëson vlerat e dialogut, ju bën thirrje deputetëve të kërkojnë falje. Të mbyllet seanca plenare dhe pikat e rendit të ditës të kalojnë në seancën e ardhshme plenare dhe të diskutohen me seriozitetin që duhet.

Seanca mbyllet këtu, pikat e rendit të ditës janë tërhequr. Do diskutojmë në seancën e radhës”, tha Spiropali.