Nga Anila Shuka DW
Kancelari gjerman do të marrë pjese në Samitin e Procesit te Berlinit dhe pritet të bëjë takime bilaterale edhe me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë të hënën për një viizitë të shkurtër në Tiranë, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, të premten, 13.10.23, në konferencën e shtypit të qeverisë gjermane, në Berlin. Scholz do të marrë pjesë Samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet për herë të parë në në një vend jashtë Bashkimit Evropian. Procesi i Berlinit është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në BE të gjashte endeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi. Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.
Hebestreit tha se Scholz do të kërkojë kontakt edhe me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, siç e bëri në Granadë, të Spanjës, në takimin e Bashkësisë Politike. Nëse në takimin e Tiranës do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kjo nuk dihet ende, u tha në Belin.
Pas sulmit terrorist të Banjskës, diferencat mes Kosovës dhe Serbisë janë thelluar edhe më shumë. Kosova, edhe pse e përkrah nismën e Procesit të Berlinit, pret nga takimi që të mbahet një qëndrim i qartë ndaj Serbisë. Unë pres që “të shpjegohet që është një kërcënim i drejtpërdrejt i projektit evropian të integrimeve, madje të thuhet më drejtpëdrejt përgjegjësia që e ka pasur shteti serb në aktin e agresionit të 24 shtatorit”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë me DW.
Në takimin përgatitor të ministrave të jashtëmt të Procesit të Berinit, i cili u mbajt të premten e kaluar në Tiranë, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç nuk pranoi të dilte në një fotografi të përbashkët, ku në sfond të ishte flamuri i Kosovës.
Ministrja e Jashtme gjermane , Annalena Baerbock, tha në takim se rruga e vendeve të Ballkanit Perëndirmor drejt BE-së është e mundur vetëm së bashku, dhe duke njohur dhe respektuar integritetin territorial. Ajo mund të bëhet vetëm kur e kupton se siguria është reciproke.
Edhe i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i tha DW në një interivstë ekskluzive se tensione të tilla si ai Banjskës, më 24 shtator, nuk duhet të përsëriten më dhe se janë toksike për të gjithë rajonin.