E enjtja 4 nëntorit u identifikua me samitin e Beogradit, mbajtur në kuadër të nismës “Open Balkan”.
Pas takimit mes tre liderëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Alksandër Vuçiç dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, është zbardhur edhe deklarata e tyre e përbashkët.
“E ardhmja e zgjerimit – një këndvështrim nga rajoni”, është pika kyçe e saj.
Në të shkruhet se, Ballkani Perëndimor theksoi përkushtimin dhe angazhimin e rajonit ndaj vlerave evropiane dhe normave demokratike, ndaj rëndësisë parësore të demokracisë, të drejtave themelore dhe shtetit të së drejtës.
Tre liderët kanë bërë me dije se, Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare, së bashku me partnerët nga rajoni, rikonfirmuan mbështetjen e tyre për perspektivën e Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Brdos më 6 tetor.
Në të nuk kanë munguar as kritikat për BE-në, mbi “kapacitetin e diskutueshëm të saj për të integruar anëtarë të rinj”.
Sipas liderëve, politika e zgjerimit mbetet aktive – në praktikë – sidoqoftë, ka një zhgënjim në rritje mes qytetarëve të rajonit, lidhur me perspektivën në BE.
“Ne nuk mund ta lejojmë këtë spirale negative të kërcënojë vetë themelet e së ardhmes dhe mirëqenies së rajonit. BE-ja po ecën përpara, ndërsa rajoni ka ngecur në dilemat e vetë BE-së”, shkruhet në deklaratë.
Edhe një herë është theksuar se, “integrimi i Ballkanit Perëndimor është në interes të BE-së”.
Ata i kanë kërkuar unionit të eksplorojë të gjitha rrugët për përparimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në periudhën që i paraprin anëtarësimit.
Ndërkohë në të njëjtën linjë, tre liderët kanë njoftuar se po eksplorohet mundësia që Ballkani Perëndimor të përjashtohet nga masa të ndryshme erga omnes të politikës tregtare.
“Bujqësia jonë ka shumë nevojë për fonde, ndërkohë që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zgjeruar dhe për t’i ofruar prodhime me cilësi të lartë tregut të BE-së”, shkruhet aty.
Për ta “Ballkani i Hapur” e ka ndërtuar punën mbi agjendën e Procesit të Berlinit, duke u përqendruar te zbatimi i shpejtë dhe i përshtatur.
Për këtë arsye janë angazhuar Dhomat e Tregtisë dhe janë ngarkuar për të përgatitu një udhërrëfyes të detajuar për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për lehtësimin e importeve dhe eksporteve në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 29 korrik, në Shkup.
Gjithashtu është miratuar Udhërrëfyesi për zbatimin e masave për lehtësimin e tregtisë.
“Po kështu, kemi vendosur të krijojmë një Këshill Ndërministror, i cili do të punojë ngushtë me Dhomat për zbatimin e këtyre masave”, parashtrohet në deklaratë.
Në finalizimin e saj nuk ka munguar as ftesa për vendet e tjera,
“Të ndenjurit duarlidhur nuk është alternativë, ne i ftojmë dhe i mirëpresim të gjithë të tjerët në rajon të bashkohen me ne”, finalizohet deklarata.