Një gomone me 500 kg kanabis u bllokua sot në Vlorë, sipas deklaratës së Policisë. Nga Policia shtohet gjithashtu se është sekuestruar 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.
Operacioni “Vjosa”, Policia parandalon një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, thotë Policia
Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë. Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det.
Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, me gjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit.
Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre, njofton policia.
Veritas.com.al/