Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, në fjalimin e mbajtur sot në Çadrën e Lirisë, i ka bërë thirrje ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë që ‘të heqë vizën’ hyrëse të Edi Ramës për në Shtetet e bashkuara.

Zoti Bashka ka përmendur se shkak është se Rama ka shkelur ligjet elektorale të vendit, duke dhënë një donacion në fushatë elektorale, në kohën kur në SHBA nuk lejohet që kandidatët të marrin donacione nga jashtë vendit.

“Njeriu që është kapur me presh në duar duke paguar 80 mijë USD në thyerje të ligjit amerikan për një foto me Presidentin Obama në vitin 2012. I shkreti Bilal! E hëngri prej këtij! – vërejti ai. – Po ligji amerikan parashikon edhe që përfituesit e një vepre penale kanë përgjegjësi penale. Nuk është vendi im që t’i tregojë drejtësisë amerikane se çfarë duhet të bëjë, se me siguri dita do të vijë që do ta bëjë, por është koha dhe vendi t’i përsëris ambasadorit amerikan në Tiranë, kërkesën popullore që ti heqë vizën amerikane, Edi Ramës, i cili është faktuar si shkelës i ligjit amerikan përmes donacionit ilegal në fushatë.”

Opozita ka dëshmuar disa herë se kryeministri Rama ka investuar shuma të mëdha në Amerikë, gjë që është pranuar edhe nga raportet e OSBE. Në vijim të premtimeve të Opozitës se “në Republikën e Re” do të kthehen edhe paratë e vjedhura publikut nga qeveritarët, duket se kërkesa e sotme ndaj ambasadorit të SHBA ka lidhje edhe me garantimin që Rama të mos mund të manipulojë pasurinë e tij të vendosur në SHBA ose në off shore.

/Veritas.com.al/