Nga: Spartak Ngjela/

Për opozitën jashtëparlamentare nuk ka më asnjë shpresë ekzistence si lidership. Ajo e ka humbur kohën e saj politike, se gaboi që dogji mandatet e deputetit, dhe nuk pranoi të hynte në zgjedhjet e 30 qershorit.

Koha politike është shumë kapriçoze, një gabim kundrejt saj, të nxjerr nga loja.

l.

Lidershipi i Partisë Demokratike gaboi. Ka një aksiomë në jurisprudencë: i dëshpëruari, i tremburi dhe idioti nuk mund të konsiderohen dëshmitarë të saktë, sepse, si rregull, këta i shmangen të vërtetës. Nga kjo nxjerrim konkluzionin se këta nuk mund të jenë as të aftë për të arsyetuar të ardhmen në lidhje me veprimet e tyre.

Lidershipi i Partisë Demokratike kuptohet se është i trembur qëkurse ka filluar Reforma në Drejtësi, dhe kjo na jep logjikën e arsyes që, për këtë akt, ai ka qenë i dështuar që në fillim.

Krerët e Partisë Demokratike, nën trysninë e frikës, kërcënonin gjendjen dhe sidomos qeverinë që kundërshtarët qeveritarë do t’i “futnin gjashtë pashë nën dhé”, në një kohë që vetë ishin vetëm me duar.

Kjo gjendje që kaloi nënkuptonte se, me frymën e urrejtjes dhe të denoncimit permanent, do ta aktivizonin pakënaqësinë popullore për të shkatërruar Shqipërinë si shtet, dhe në anarki të gjenin mundësinë e mbijetesës së korrupsionit.

Po populli nuk iu përgjigj fare. Iu përgjigjën vetëm militantët e Partisë Demokratike. Po, pse ndodhi kjo kur pakënaqësia e shqiptarëve sot është shumë e madhe?

Kjo ka një arsye themelorë: lidershipi i politikës kundërshtuese që iu paraqit shqiptarëve nuk ishte dhe nuk është i besueshëm për ta. Në fakt shqiptarëve iu dolën në skenë fytyrat që ata i patën rrëzuar dy herë me një milionë vota.

Kurse politika ka një rregull që nuk mund të shkelet: liderët e falimentuar në një apo dy zgjedhje rresht, nuk mund të qëndrojnë më në lidershipin e një partie të madhe politike, kur kjo është konkurente për pushtet. Po, a mund ta kuptonte dot Sali Berisha këtë arsye psikologjike të shkollës së politikës dhe, pas tij, edhe Lulzim Basha? Jo nuk e kanë pasur këtë mundësi arsyetuese, sepse nuk i lë as pasioni patologjik i pushtetit të humbur, dhe as dëshpërimi dhe frika nga Reforma në Drejtësi. Të dy këta faktorë i kanë sjellë tani në gjendjen e falimentimit politik.

ll.

Po çfarë do të ndodhë tani këtej e më tutje si kohë politikë?

Sot ka dhe një risi: Komisioni Europian e pranoi zgjerimin e Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Tani pritet Parlamenti Europian dhe qeveritë dhe Parlamentet e vendeve anëtare. Në këtë kohë, shqiptarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm me marrëzinë Berisha që kërkon t’i shtyjë drejt destabilizimit. Dhe kuptohet që, për këtë arsye, shqiptarët nuk mund ta pranojnë dot klithmën e lidershipit të Partisë Demokratike për destabilizim.

Veritas.com.al/