Platforma “Liria ka Emër” ka vendosur në Prishtinë “Orën e Pritjes”, një ekran që shënon numërimin e ditëve deri më 16 shtator, datë kur pritet vendimi final për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në ceremoninë e vendosjes së ekranit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi “Orën e Pritjes” si simbol të pritjes së familjeve, por edhe të gjithë Kosovës.

“Ky ekran këtu është simbol i pritjes sonë në Prishtinë. Por ekranet e ngjashme do të vendosen gjithandej Kosovës”, deklaroi Hamza, duke shtuar se ato synojnë të përcjellin një mesazh për familjet që presin dhe për personat që ndodhen në Hagë.

Sipas tij, “Kosova nuk harron”. Ndërkohë, nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, bëri të ditur se deri më 12 shtator do të zhvillohen një sërë aktivitetesh në kuadër të kësaj nisme.

Ajo tha se më 12 shtator pritet të mblidhen në Prishtinë qytetarë nga e gjithë Kosova, ndërsa aktivitetet do të përfshijnë ligjërata në shkolla, aktivitete në sheshe, seminare me studentë dhe ekspozita.

“Kjo orë s’ka me i matë veç ditët. Kjo orë ka me na kujtu çdo mëngjes e çdo mbrëmje se pas çdo dite që kalon, një popull po pret”, tha Musmurati.

Edhe Ismail Tasholli shprehu shpresën që 16 shtatori të sjellë një zhvillim pozitiv.

“Ne po shpresojmë që me 16-tin shtator ora e mbrapsht do të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, u shpreh ai.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *