Këshilli Politik është mbledhur për të diskutuar çështjet e mbetura pezull të reformës zgjedhore. Ato janë disa dhe nuk është e qartë, nëse do të ketë kohë për të arritur sonte një dakordësi.

Megjithë volumin dhe vështirësinë e negociatave, gjëja pozitive është se në tryezë sonte nuk ka çështje të reja.

Opozita i ka dorëzuar që mbrëmë propozimet për garancitë e votës në zgjedhje, duke e çuar deri në fund pjesën e angazhimit të saj me reformën zgjedhore.

Pjesë e këtyre propozimeve janë edhe qeveria kujdestare për zgjedhjet dhe roli i gjykatës kushtetuese.

Diskutimi i tyre ende nuk ka nisur, por është e rëndësishme që të gjitha çështjet janë mbi tavolinën e bisedimeve.

Aktualisht Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi janë ndarë nga grupi i ekspertëve dhe po zhvillojnë një takim veçmas me një përfaqësues të ambasadës Amerikane ndërsa të tjerët po presin të kthehen për të vijuar diskutimet.

Në këtë takim nuk ndodhet as Rudina Hajdari i PD parlamentare dhe as Petrit Vasili i LSI.

Veritas.com.al