Vëzhguesit e misionit të OSBE-ODIHR-it e vlerësuan të qetë dhe transparent procesin zgjedhor ndërsa veçuan si ngjarjen më të rëndë atë të Elbasanit ku u vra një mbështetës i PS Pjerin Xhuvani nga shoqëruesi i Gazmend Bardhit, Arbër Paplekaj.

Gjatë prezantimit të raportit paraprak lidhur mbi ecurinë e zgjedhjeve të 25 prillit  vëzhguesit e OSBE/ODIHR  cilësuan si problematikë edhe fenomenin e shit-blerjes së votave, duke thënë se në ditën e zgjedhjeve është raportuar vetëm për një rast, që është në verifikim.

Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues në Shqipëri u shpreh se në këto zgjedhje nuk pati probleme me listën e zgjedhësve. Përfaqësuesi i OSBE/ODIHR  tha se fushata elektorale nuk pati dinamikën e duhur, pasi mesazhet u fokusuan më shumë te liderët politikë.

“KQZ operoi në mënyrë transparente dhe ka gëzuar besimin e të gjithë aktorëve. Sa i përket fushatës, të gjitha subjektet zgjedhore bënë fushatë në mënyrë të lirë, pavarësisht kufizimeve të Covid-it. Megjithatë, fushata nuk pati dinamikën e duhur, sepse mesazhet e fokusuan te liderët e partive, dhe jo te programet. Pretendimet për shit-blerjen e votës ishin në fokus të fushatës, duke treguar se kjo është akoma problem.

Ngjarja më e rëndë për fat të keq ishin këto incidente që shkaktuan vuajtje njerëzore. Ngjarja më e rëndë ajo e Elbasanit. Duhet të ketë dënim dhe ndëshkim pëer këtë rast”, tha ai.

I pyetur për mungesën e një shifre zyrtare të pjesëmarrjes në zgjedhje nga ana e KQZ-së, Aleksander Pociej, drejtuesi i delegacionit vëzhgues PACE, tha se kjo është një çështje relative, që varet nga sisteme e gjithsecilit vend.

“Pati shumë diskutime mes vëzhguesve tanë. Në lidhje me qasje komplet të ndryshme. Në vende të tjera, numërimi i votave bëhet në qendrat e votimit. Dhe, sistemi në Shqipëri është i ndryshëm, kërkon më shumë kohë. Unë vëzhgova zgjedhjet në Bullgari, pjesa më e madhe e pretendimeve për hile apo mashtrime elektorale kishin të bënin me numërimin e votave në qendrat e votimit. Nuk mund t’u përgjigjem se cili nga këto sisteme është më i miri apo më i keqi.”

Ndërsa, në rastin e karantinës së emigranteve, vëzhguesit e OSBE ranë dakord se atyre duhej t’u ishte mundësuar votimi, por shtuan se në këtë rast nuk ka shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

Vëzhguesit e OSBE cilësouan shqetësuese edhe publikimin e databasit me të dhënat e 900 mijë votuesve dhe preferencat e tyre politike. Sikundër bënë të ditur se kishin mbajtur shënim pretendimet për shitblerjen e votave. Gjatë ditës së zgjedhjeve vëzhuesit ndërkombëtarë monitoruan dhjetra qendra votimin në të gjithë Shqipërinë, ndërsa rezultatet e raportit përfundimtar do të bëhen publike më 28 maj.

(Në perditesim…).