Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mëngjesin e 9 shkurtit i është bashkuar deklaratës së Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Kjo në kuadrin e mbështetjes së zgjatjes së mandatit të institucioneve të vetting-ut.
Duke folur në një takim vjetor strategjik mes Prezencës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, theksoi progresin e jashtëzakonshëm të arritur deri më tani në reformën në drejtësi.
Ai shprehu besimin e plotë për rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetting-ut, Ambasadori Del Monaco më tej përsëriti se ai nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi.
Kujtojmë që Këshilli i Legjislacionit, të premten e 21 janarit, miratoi ndryshimet kushtetuese për sa i takon zgjatjes së mandatave të organeve të vetting-ut deri në fund të vitit 2024.
PS-ja kërkoi që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në daljet e tij për mediat ka deklaruar se kjo është një vijueshmëri e Reformës në Drejtësi.
Balla ka ftuar herë pas here opozitën për të votuar sa më parë për ndryshimet kushtetuese që kishin të bënin me zgjatjen e afateve të organeve të Vetting-ut
Tashmë fjala e fundit i takon Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet të miratojë këto ndryshime me 84 vota pro.