Teksa opozita po shkon drejt bojkotit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ambasadori i OSDE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, ka folur për njohjen ndërkombëtare të këtyre zgjedhjeve, edhe pse pa pjesëmarrjen e opozitës.

Sipas Borchardt, kjo nuk është çështje politike, por teknikalitetesh.

“Njohja varet nga mënyra si shkojnë zgjedhjet lokale, si zhvillohen ato dhe gjetjet e vëzhguesve tanë”, tha Borchardt, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet do të njihen nëse do të plotësojnë standardet, pavarësisht pjesëmarrjes ose jo të opozitës.

Ambasadori ka ripërsëritur qëndrimin se OSBE nuk përkrah bojkotin zgjedhor, duke nënvizuar se më parë Shqipëria ishte simbol i “stabilitetit në rajon”.

“Ne pikë së pari nuk nxisim aspak bojkotin zgjedhor. Për shumë kohë Shqipëria ka qenë shtylla apo simbol i stabilitetit në rajon dhe tani shohim një veprim në parlament që nuk ka precedentë. Është kritikuar nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Pse? Sepse ndez fitilin, që vë flakën pastaj në gjithë sistemet parlamentare. Pyetja e radhës do ishte kur do kemi parlamentin që e ka mandatin për 4 vjet dhe ta mbyllë për 4 vjet”.

Borchardt tha qartazi se frika e ndërkombëtarëve është se ngjarje të tilla mund të shërbejnë si precedentë jo vetëm për ardhmërinë politike në Shqipëri, por edhe për rajonin.

“Kësaj radhë politikanët e dogjën në 2 vjet, radhës tjetër mund të gjejnë argumente për të marrë një vendim të tillë edhe pas 8 muajsh, ky do të ishte shembull shumë i keq për të tërë rajonin”, tha ambasadori Bernd Borchardt.

Një qëndrim i ndërkombëtarëve ky që duket se ka qenë standard në këto muajt e fundit dhe një sinjal që kryetari i opozitës, Lulzim Basha, e ka kapur qartë dhe e kontestoi pas protestës së 16 marsit.

“Nuk ka stabilitet pa demokraci” ka qenë mesazhi i Bashës për ndërkombëtarët, një mesazh që e dha jo rastësisht edhe në anglisht.

Një ditë më parë, opozita dogji edhe afatin për paraqitjen e listave për anëtarë të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë, një hap që e afron edhe më shumë me bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Veritas.com.al/