Miratimi i rezolutës në kuvendin shqiptar të gjenocidit serb në Kosovë, heqja e kufirit mes dy vendeve, problemet e adresave në Presheve, Medvegjë e Bujanoc, përballimi i situatës së Covid-19 dhe proceset integruese ishin temat kryesore që janë diskutuar mes presidenti Meta dhe presidentes në detyrë të Kosovës Vjosa Osmani.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me presidenten në detyrë të Kosovës Vjosa Osmani, kreu i shtetit tha se marrëdhëniet shtetërore kanë nevojë për mundësi praktike dhe kufiri mes dy vendeve të bëhet i padukshëm, jo vetëm për njerëzit, por edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes njerëzve.
“Vlerësuam të gjitha mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve tona, veçanërisht mes konkretizimit të partneritetit strategjik që të jemi shembull sa i takon standardeve të demokracisë dhe përparimit të integrimit europian. Marrëdhëniet ndërshtetërore kanë nevojë për mundësi praktike që kufiri shtetëror të bëhet i padukshëm, jo vetëm për njerëzit, por edhe në shkëmbimin e eksperiencave”.
Meta siguroi presidenten Osmani për mbështetjen në pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“E sigurova se ne do të mbështesim me energjitë tona pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës se jemi të bindur në legjitimitetin kombëtar
“Vlerësova qëndrimin e matur dhe nga Kuvendi në këto çaste të rëndësishme për të vijuar funksionimin e institucioneve demokratike dhe përballimin e sfidave me të cilat ndeshet shteti i Kosovës si përballja e Covid, për ta kapërcyer me kosto të lehtë këtë betejë madhore në interes të qytetarëve tanë, Shpresojmë të bashkëpunohet më shumë edhe për sigurimin e vaksinës në mënyra më të dobishme të shpejta e të sigurta”.
Nga ana e saj presidentja e Kosovës kërkoi që të jetë krah Kosovës dhe Kuvendi shqiptar të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë, me qëllim që të mos përmbyset e vërteta.
“Rruga e Kosovës ka qenë plot sfida dhe Shqipërinë e kishim në krah. Në Kosovë është Serbia që ka kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe këtë të vërtetë e ka parë gjithë bota, por që të mos lejojmë që të përmbyset e vërteta kemi nevojë për Shqipërinë që të jetë zëri ynë atje ku nuk kemi zë. Diskutuam që Kuvendi të miratojë rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi ynë e ka miratuar këtë deklaratë dhe është e natyrshme që vendi i dytë ta bëjë këtë të jetë Shqipëria”.