Prokuroria e Tiranës ka dërguar për hetim pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion “dosjen” e KED-së, dosje kjo e cila solli përplasje të gjata mes  Presidentit të Republikës dhe kreut të këtij institucioni mbi ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Kjo lëvizje e dosjes tashmë do të thotë se hetimet për padinë e Presidentit Meta kundrejt kreut të KED-së, Ardian Dvoranit, do t’i kryejë SPAK.

Prokuroria e Tiranës konfirmoi zyrtarisht për mbylljen e hetimit nga kjo prokurori  duke shpallur moskompetencë për padinë e Kreut të Shtetit, me pretendimin se Ardian Dvorani është zyrtar i lartë.

Prokurori Alket Mersini ka shpallur moskompetencën për shkak të cilësive të veçanta që ka subjekti i kallëzuar, kryetar i KED-së, Ardian Dvorani. Deri tani, kjo është e vetmja dosje që Prokuroria e Tiranës ka dërguar pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kallëzuar kreun e KED-së për veprat “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit”.

Veritas.com.al