Pandeli Majko do të rikthehet zyrtarisht në Parlamentin e Shqipërisë, pas dorëheqjes nga mandati i deputetit të Alqi Bllakos, i cili po hetohet mbi çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Ka qenë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ai i cili pas verifikimeve të kryera, i ka dhenë Majkos mandatin e deputetit.

Majko ka dorëzuar më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dokumentacionin përkatës, ku përfshihet posaçërisht edhe formulari i dekriminalzimit.

Duke u konsultuar edhe me organet përkatëse, KQZ-ja ka dalë në përfundimin se Majko nuk ka kryer asnjë shkelje penale ose të ketë vendim gjykate të formës së prerë kundër tij.

Ndaj, është vendosur, si emër pasues në listë pas Bllakos, t’i kalohet atij mandati i deputetit.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prilli, Majko mori 8 mijë e 785 vota, por nuk e theu dot herësin prej 10 mijë votash, për të qenë deputet.

Ai ishte i renditur i 19-ti në listë, një më pak se numri i deputetëve që mori PS-ja në qarkun e Tiranës.

Dorëheqja e Bllakos

Pasditen e 30 marsit, në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, mbërriti kërkesa e Bllakos, me anë të së cilës ai hiqte dorë nga mandati i tij, pasi SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e tij për çështjen e inceneratorëve.

Në shkresën zyrtare nga Bllako theksohej se, “me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i PS-së, referuar kërkesës së SPAK-ut drejtuar Kuvendit dhe urdhrit të Kryetares për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet”.

“Me bindjen e plotë se, në fund të këtij procesi, do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar”, vijonte shkresa nga Bllako.

Ai e mbyllte i prerë se vihet në dispozicion të plotë të drejtësisë, “duke gjykuar t’u hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të organeve të drejtësisë”.