“Tymi i bardhë” i negociatave të përfolura, javën e fundit, midis PD-së së Rithemelimit dhe mazhorancës socialiste për rikthimin e normalitetit në jetën parlamentare të vendit, është shfaqur para mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku Gazment Bardhi pritet të rikthehet në orën 13:30, pas 5 muajve bojkot.

Ka qenë tryeza e Këshillit të Integrimit, ajo që ka bërë bashkë socialistin Toni Gogu dhe demokraten, Jorida Tabaku, të cilët si bashkëkryetarë kanë drejtuar takimin rajonal me temë “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i tij në përshpejtimin e reformave të shtetit të së drejtës”.

Shenjë se “paqja” e përfolur mes palëve po afron, Tabaku tha që në nisje të fjalës së saj se është i rëndësishëm bashkëpunimi qeveri-parlament për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Monitorimi në procesin e integrimit në institucionet e pavarura, detyrimet që lindin nga raportet e vendeve të BE-së dhe progres-raportit, detyrojnë një bashkëpunim mes qeverisë dhe parlamentit. Ligji i ri për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, i ka dhënë më shumë funksione parlamentit nga pikëpamja e monitorimit që nuk i merr dot qeveria, të cilat i takojnë institucionit të parlamentit dhe që duhet të kryhen përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe Komisionit të Çështjeve Europiane. Qeveria ka rolin e saj dhe parlament të vetin, për këtë arsye ne duhet të sigurojmë ndarjen e funksionit dhe kontrollit“, u shpreh Tabaku.

Një mesazh nën rreshta Tabaku e pati edhe për krizën politike që vijon prej 5 tetorit, duke kërkuar që palët të fokusohen te procesi i integrimit në këtë moment ku ndodhet vendi.

Është e pafalshme që në një moment ku duhet ta bëjmë procesin e integrimit prioritet, të fokusohemi në interesa të tjera që shkojnë në të kundërt të procesit të integrimit.”/A2CNN