Updated/

Maturantët me  nota  mesatare të larta, që nuk e kanë fituar të drejtën e studimit në universitetet publike, kanë nisur protestën para Kryeministrisë pas orës dhjetë kur ishte parashikuar.

Vonesën e ka shkaktuar, me sa duket, moti i keq me shi të pandërprerë

Me çadra, nëpër shi, ata janë grumbulluar para kryeministrisë për të ngritur zërin kundër së ashtuquajturës Reformë të Arsimit të Lartë, ligjeve dhe vendimeve absurde që këtë radhë penalizuan më të mirët.

Lajmi:

Ka ndodhur paradoksi: Ndërsa maturantët e shkollave të mesme që dolën me rezultatet më të mira në shkollë, kanë mbetur jashtë dyerve të Universiteteve shtetërore, ata me mesatare të ulët janë pranuar.

Maturantët sot janë vendosur të protestojnë para selisë së Qeverisë.

Ankesat e tyre maturantët i kanë shprehur me komentet që kanë lënë në faqen zyrtare të kryeministrit Edi Rama, dhe atë të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Mes historive të maturantëve të “djegur” është edhe ajo e Ana Sinanit, e cila në Librin e Transparencës të publikuar nga AKP-ja ka rezultuar me mesatare 9.53, por fatkeqësisht, nga 10 preferencat që ka listuar, nuk ka fituar asgjë.

E trishtuar, maturantja shprehet se do ta riprovojë sërish në rundin e dytë, por se ka pak shpresë. “Meritën tonë e marrin ata që kanë prindërit në pozitë të lartë në piramidën shtetërore dhe ata që paguajnë më shumë”, – tha maturantja  Ana Sinani.

http://www.syri.net/wp-content/uploads/2016/09/14256698_10157305097190214_269820271_n-1.jpg