Edhe pse tani janë me minimumin e numrit të anëtarëve, partitë e vogla kërkojnë të ‘bëjnë ligjin’ nga jashtë parlamentit…
Grupimi i partive të qendrës së djathtë, që janë njëkohësisht edhe aleatët e Partisë Demokratike, paraqitën sot një platformë për zgjidhjen e krizës politike. Duke i qëndruar besnikë marrëveshjes së firmosur për të qenë pjesë e një koalicioni opozitar, krerët e 5 partive të vogla, e shohin të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në platformën politike, Nard Ndoka i PDK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Dashamir Shehi i LZHK-së, dhe Fatmir Mediu i PR-së, shohin si zgjidhje krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Duke konstatuar se në zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 janë regjistruar vetëm parti politike të mazhorancës, si dhe përpjekjet e Ramës për të organizuar zgjedhje farse, me qëllim që të krijojë idenë false se zgjedhjet do të jenë “konkurruese”, përballë Opozitës dhe qytetarëve nga ana tjetër, të vendosur për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farse, tentativën e qeverisë për një krim elektoral me pasoja shkatërruese për vendin, e cila do të çonte në një përplasje me pasoja për vendin dhe Unitetin e Popullit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të partive të vogla.
Partitë e lartpërmendura propozojnë realizimin e një marrëveshje politike kushtetuese, duke propozuar ; Thirrjen e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Një tjetër kërkesë nga 5 partitë aleate me PD, është reforma zgjedhore; votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.
Veritas.com.al/